Vrasja e dyfishtë, po verifikohen dosjet dhe personat që ka arrestuar ish-polici

10 persona janë ndaluar nga Policia e Shkodrës në lidhje me vrasjen e dyfishtë që tronditi qytetin një ditë më parë. Krimi është kryer me silenciator dhe autorët ende nuk janë identifikuar. Dosjet do kalojnë në kontroll nga grupi hetimor për të parë nëse Bërçana ka patur një konflikt të mundshëm në punën e tij në të shkuarën.

Gjithashtu po verifikohen edhe personat që ka arrestuar ish-polici. Një tjetër detaj i ri që vjen nga hetimi, është fakti se të gjitha pamjet e siguruara nga kamerat e bizneseve afër vendit të ngjarjes janë sekuestruar dhe po shihen me vëmendje për të bërë të mundur identifikimin. Të dhënat mbi autorët janë të pakta, por dyshohet se ata kanë përdorur targa të falsifikuara për automjetin që u gjet i djegur.

Dyshohet se ishin 2 autorë që kanë pritur çiftin të vinte. Identifikimi i tyre nuk dihet nëse është bërë i mundur, pasi sipas burimeve kjo varet nga cilësia e kamerave. Policia dyshon se autorët e ngjarjes janë vrasës me pagesë, të veshur me kapele dhe se vrasja ka qenë e mirëmenduar.

Një tjetër e dhënë që del sot, është fakti se trupat e dy viktimave u dërguan për ekspertizë për të përcaktuar orën e saktë të vdekjes, pasi ende nuk është specifikuar në çfarë ore kanë ndërruar jetë çifti. Po mblidhen të dhëna për ish-policin nëse është shoqëruar me persona me precedent të mëparshëm penalë.