Varrimi i eshtrave të 100 ushtarëve grekë në Dropull, shoqërohet me debate dhe kundërshti

Është shoqëruar me debate dhe kundërshti varrimi i eshtrave të 100 ushtarëve grekë në Bularat të Dropullit dy ditë më parë. Në meshën që u mbajt në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, Punëve të Jashtme dhe Ambasadores së Greqisë në Tiranë, Znj.Eleni Surani, nuk kanë marrë pjesë të afërmit dhe pasardhësit e ushtarëve të rënë duke ngritur dhe pretendimet e para në mediat greke për një proces të kryer në fshehtësi dhe pa respektuar familjarët e të rënëve.

Në një raportim për gazetën greke “To Proto Thema”, Jorgo Sourlas kryetar i shoqatës së të afërmve të të rënëve gjatë luftës italo–greke ka pohuar se familjarët e të rënëve janë ndier të ofenduar, ndërkohë që prej 78 vitesh kanë qenë në pritje të zhvillimit të një ceremonie të denjë për të afërmit e tyre.

“Në këtë ceremoni, e para që prej Marrëveshjes me Shqipërinë, e cila me këmbëngulje është pritur nga të afërmit për 78 vjet, ata jo vetëm nuk janë ftuar si të tjerët, por ministri i Jashtëm Nikos Kotzias, nuk i përgjigjet një kërkese me shkrim të paraqitur nga shoqata që të jenë të pranishëm të paktën anëtarë të Bordit të shoqatës”, thotë Sourlas.

Sourlas i është referuar deklaratave aktuale të kryeministrit Alexi Tsipras nga Brukseli, i cili e ka cilësuar një veprim të trishtuar dhe sjellje të papranueshme ndaj të afërmeve të tyre dhe shoqatës zhvillimin e ceremonisë së parë që përkujton ushtarët grekë të cilët janë të varrosur në tokën e Shqipërisë.

Ceremonia e varrosjes së eshtrave të ushtarëve grekë në Bularat u zhvillua dy ditë më parë pothuajse në fshehtësi. Nga Bularati ambasadorja e Greqisë Eleni Surani, u bëri thirrje familjarëve të dorëzojnë AND-në e tyre në mënyrë që të bëhet identifikimi i eshtrave.

Kjo është ceremonia e parë e rivarrimit të eshtrave të të rënëve në murin memorial të ushtarëve të panjohur në Bularat. Komisioni shqiptaro-grek ka bërë me dije se ceremoni të tjera rivarrimi do të vijojnë përgjatë verës, ndërsa shumica e ushtarëve, eshtrat e të cilëve u nxorën prej gërmimeve në fushën e Sajmolës në Dragot nuk kanë identitet.