Tatimet i “shtrëngojnë rripin” bizneseve: Dorëzoni sot deklaratën e TVSH

Tatimet bëjnë paralajmërimin e fundit për bizneset e vogla. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, i ka rikujtuar sot tatimpaguesve të biznesit të vogël, se afati për deklarimin dhe pagesën e TVSH-së, për periudhat tatimore Prill, Maj dhe Qershor 2018, përfundon sot.

Tatimpaguesit, të cilët nuk do të përmbushin afatet e plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës së thjeshtuar, do të përfshihen automatikisht në përgjegjësinë tatimore të TVSH-së.

DPT, dëshiron të qartësojë gjithashtu se, mosdorëzimi i deklaratës brenda afatit shoqërohet me një penalitet prej 5,000 lekë. Ndërsa, nuk do të ketë asnjë penalizim nga ana e administratës tatimore në rast se konstatohet se deklarata e thjeshtuar e TVSH-së është plotësuar me gabime.

Për të shmangur çdo gabim të mundshëm ose nëse keni paqartësi, ju ftojmë që të shfrytëzoni të gjithë infrastrukturën e nevojshme që administrata tatimore ka vënë në dispozicion për mbarëvajtjen e këtij procesi. Ju mund të vizitoni “Këndin e Asistencës”, dedikuar biznesit të vogël, pranë të gjitha Drejtorive Rajonale Tatimore (13 kënde efektive).

Gjithashtu për çdo paqartësi ju mund të telefononi pranë Qendrës së Thirrjeve në numrin e gjelbër pa pagesë 0800 00 02, ku operatorët tanë do t’ju ofrojnë asistencë në kohë reale: nga e hëna në të enjte ora 08:30-18:00 dhe e premte ora 08:30-16:00. Në dispozicionin tuaj është edhe shërbimi Live Chat në adresën: www.tatime.gov.al

Për t’u njohur me mënyrën e plotësimit dhe deklarimit elekronik të deklaratës së thjeshtuar të TVSH-së, mund të klikoni në linkun: https://bit.ly/2LckDFJ