Shkrihet Gjykata Kushtetuese, një tjetër anëtar ngel në vetting

Një tjetër anëtar i Gjykatës Kushtetuese ka “mbetur” në vetting duke bërë kështu jo funksionale funksionimin e kësaj gjykate.

Gani Dizdari është shkarkuar sot nga detyra me vendim të Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit me argumentin se nuk justifikon dot pasurinë.

Skeda e pasurisë

Sipas KPK-së, Dizdari ka një apartament 95.7 m2, burimi privatizim i banesave shtetërore, blerë 24 826 lekë, dhe zotëron vetëm 75% të saj. Gjithashtu ka një apartament në Gjirin e Lalzit, 86.6 m2, të blerë në 2013-tën në vlerën e 3.3 milionë lekëve, tokë arë në Mjull Bathore, 1 mije m2 në shumën 344 mijë lekë, apartament 69.7 m2 blere në 1998 në vlerën 1.8 milionë lekë nga ish-bashkëshortja e subjektit nga e cila ai zotëron 50%, subjekti nuk ka deklaruar burim pasurie, por thotë se është blerë.

Por duket se për gjyqtarin Gani Dizdari problem do të jetë pasuria e vajzës së tij. Sipas KPK-së, ajo nuk ka deklaruar shumën prej 4 mijë euro të dhuruar për kurim në Gjermani. Ndërkohë në 2009 është deklaruar 99m2 apartament, ndërsa në 2017, 89.1 m2, dhe KPK thotë se ka mospërputhje mes çmimit të blerjes dhe sipërfaqes. Ndërkohë që ka thënë se burimi i apartamentit me vlerë 70 mijë euro është ish bashkëshorti, babai i saj, hua dhe kursim.

Por huaja që përmend vajza e tij prej 20 mijë euro dhënë nga M. L., nga të dhënat tatimore rezulton se ky i fundit nuk ka pasur mundësi financiare, pas hetimit të KPK nëse personat ku ka marrë hua vajza e tij për banesën kishin burime të ligjshme. E njëjta gjë dhe për huan 36 mijë euro të dhënë nga Sh. D., kushëriri i Dizdarit.

Ndërsa përsa i përket përshtatshmërisë së figurës, Dizdari ka kontakte të papërshtatshme, ku në seancën dëgjimore u përmend lidhja me shtetasin A. I., i dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Nga sistemi TIMS rezulton se ka dalë disa herë jashtë vendit me automjet me të. “Jemi para një kontakti me persona të lidhur me krimin e organizuar e të papërshtatshëm”, tha KPK.