Roja i plazhit

Nga Agim Xhafka
Fredi sa ka mbaruar klasën e tetë. Është nga një fshat i Devollit. Ka erdhur të pushojë ca ditë te daja, në Lukovë. Ka fat se daja menaxhon një copë plazh me nja 20 shezlongë.
Sa herë Fredi hyn në det i bërtet gruaja e dajës:
-Jo thellë se mos na mbytesh.
E djali ia dëgjon fjalën. Pllaquritet në breg e del shpejt. Kuptohet që nuk di not.
Sot qysh në mëngjes e pashë ulur mbi një karrike druri vënë mbi tre tulla.
-Jam roje emergjence,vrojtues .U vij në ndihmë atyre që mund të mbyten.-më tha e qeshte.
-Po ti s’di not.
-Nuk di vërtet, por ata të kontrollit thanë ok sa më panë mbi karrige.
-Tani zbrit se ata ikën.-i thashë.
-Jo,jo,janë te restoranti. Po u jep dajua një drekë.