Një tjetër italiani i sekuestrohen llogaritë bankare, kësaj here në Vlorë

Vazhdon evidentimi i aseteve dhe llogarive bankare të personave të dyshuar për veprimtari kriminale.

Policia e Vlorës ka sekuestruar kater llogari bankare me vlerë 293.000 euro të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Llogaritë bankare janë në pronësi të një shtetasi italian.

“Në vijim të punës së saj, Policia Kriminale në bashkëpunim me DVP Vlorë, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Drejtorinë Hetimore Qëndrore, në kuadër të procedimit penal nr.1263 të vitit 2018, kanë bërë të mundur sekuestro preventive mbi 4 llogari bankare të shtetasit italian V.L.Vlera monetare e sekuestros preventive të llogarive bankare është 293.000 Euro”.

Shtetasi V.L., dyshohet për kryerjen e veprës penale të Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë për veprimet e mëtejshme.

Me 4 korrik, një tjetër shtetasi italian në Tiranë iu sekuestruan llogari bankare në vlerë  1.5 milionë eurove të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Shtetasi me iniciale S.L, ushtronte veprimtarinë në fushën e tregtisë ndërkombëtare.