Detaje të reja nga vrasja makabër. Autorët ishin dy, fëmija qëndroi 5 orë në makinë

Vrasja e dyfishtë që tronditi Shkodrën, ka ardhur nga dy persona. Detajet e reja të ngjarjes së rëndë zbulojnë se si ndodhi krimi dhe se fëmija 2-vjeç qëndroi 5 orë në makinën që ishin edhe trupat e pajetë të prindërve.

Mësohet nga grupi hetimor se personi i cili ka qëlluar në drejtim të çiftit të bashkëjetuesve, nuk ka pasur maskë në fytyrë, është afruar pranë automjetit të çiftit Berçana, dhe ka shkrehur karikatorin me 23 fishekë në drejtim të tyre.

Boran Bërçana dhe Silvi Ndoci u vranë mëngjesin e djeshëm me 23 plumba në një tunel afër pallatit të tyre në Shkodër. Çifti kishte darkuar dhe ngjarja ka ndodhur kur ata po parkonin në makinën e tyre.

Autori i cili ende nuk është identifikuar, ka mbërritur me mjetin tip “Mercedez Benz”, në lagjen Naim Gjylbegu në Shkoder. Më pas, mjeti është parkuar jashtë rrugicës ku jetonte me qira çifti i bashkëjetuesve dhe ka marrë armën në makinë dhe iu është drejtuar të dy viktimave, nga xhami i shoferit dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.

Ngjarja ka ndodhur në pak sekonda, dhe se autori është siguruar që çifti ka vdekur, ka parë fëmijën në makinë dhe është larguar sërish andej nga ka ardhur, duke hipur në automjetin që po e priste dhe bashkë me drejtuesin e mjetit janë larguar drejt lagjes Kiras, ku mësohet se u braktis dhe makina, për t’ju vënë flaka pranë rrugës nacionale Shkodër-Koplik.

Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë të një subjekti privat pranë banesës së çiftit, ndërkohë që materiali filmik është dërguar në Tiranë ku priten të zbulohen të dhëna lidhur me identitetin e autorit, mbi të cilin deri tani nuk ka asnjë të dhënë.