Izraeli godet fuqishëm Hamasin, flitet për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti

Izraeli ka kryer sulmin më të madh kundër objektivave militante të Hamasit në Gaza që nga lufta në 2014, thotë kryeministri Benjamin Netanjahu.

Sulmi ishte një përgjigje ndaj raketave të hedhura në Izrael, tha ai. Hamasi, nga ana e tij njoftoi se një armëpushim ishte arritur, pavarësisht se ka pasur raporte për shkëmbime zjarri të vazhdueshme.

Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë informojnë se dy persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë janë plagosur, si pasojë e sulmit ajror në qytetin e Gazës, të shtunën.

Mes izraelitëve janë plagosur 3 të tillë, nga njëra prej 90 raketave të hedhura mbi Izrael.

Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) kanë bërë të ditur se kanë shënjestruar godina e ambiente të shfrytëzuara nga Hamasi, një lëvizje ekstremistësh që dominon në Gaza, përfshi edhe një seli batalioni në Beit Lahia, një kamp stërvitor të ndodhur në një ndërtesë disakatëshe në kampin e refugjatëve al-Shati në veri të Gazës, por edhe depo armësh dhe raketahedhës.

“Në konsultim me ministrin e Mbrojtjes, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandën më të lartë të sigurisë së shtetit izraelit, kemi vendosur të ndërmarrim veprimet më të fuqishme kundër terroristëve të Hamasit”, tha Netanyahu në një deklaratë video.

“IDF-të kanë goditur Hamasin me dorën më të hekurt që prej Operacionit për Mbrojtjen e Kufirit, e do të shtojmë edhe më tej forcën e sulmeve tona nëse do të jetë e nevojshme”, shtoi ai, duke iu referuar konfliktit të vitit 2014.

Gjithsesi, zyrtarë palestinezë thanë se, falë “përpjekjeve egjiptiane dhe ndërkombëtare” është arritur një armëpushim. Izraeli nuk ka komentuar mbi këtë raport.

/Ora News