Franca kampione Bote për herë të dytë në histori, shuhet ëndrra e Kroacisë (VIDEO)

Franca është kampione e Botës për vitin 2018 në turneun e zhvilluar në Rusi. Skuadra e Didier Deschamps ka fituar 4-2 në finalen e madhe të luajtur në “Luzhniki Stadium”, në një duel që dhuroi shumë emocione dhe gola.

Dueli nisi më shumë ritëm teksa kroatët ushtruan më shumë presion në minutat e para, por të parët që do të shënonin ishin francezët. Në minutën e 18-të, Griezmann krosoi në zonë, atje ku Mandzukic, në tentativë për të larguar topin, e dërgoi në rrjetën e tij. Reagimi i kroatëve ishte i menjëhershëm duke gjetur golin e barazimit 10 minuta më pas. Ivan Perisic me një veprim të bukur në hyrje të zonës, ka lëshuar një të majtë të hidhur që ka përfunduar në cepin e portës së Lloris, i cili nuk ka pasur shans reagimi.

Baraspesha zgjati vetëm 7 minuta, pasi “gjelat” do të shënonin sërish në minutën e 35-të. Gjyqtari argjentinas Pitana akordoi një 11-metërsh i ndihmuar edhe nga VAR, pas një topi të prekur me dorë në zonë nga një goditje e Matuidi me kokë. Griezmann është treguar i saktë përballë portierit Subasic, duke e dërguar topin në cepin tjetër të hedhjes së tij. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën, skuadra e Deschamps gjeti edhe golin e tretë me Pogba, i cili shënoi me nj veprim të bukur në hyrje të zonës.

Franca mori zemër nga goli, teksa në minutën e65-të, Mbappe kompletoi një Botëror perfekt, duke shënuar edhe golin e katërt, i cili ishte edhe i katërti në këtë turne. Kroacia u përgjigj pas 4 minutash me Manduzikic që përfitoi nga një gabim i portierit Lloris, por në fund nuk mundën që të përmbysnin rezultatin. Franca fiton për herë të dytë Kupën e Botës, ndërkohë që shuhet ëndrra e kroatëve për të triumfuar për herë të parë në Botëror./Koha Jonë/