110 mijë agjentë policie në patrullim për sigurinë në Francë

Frika e ndonjë sulmi terrorist ditën e finales ka bërë që policia franceze të mobilizohet për të evituar çdo incident. Jo vetëm në Paris, por në të gjithë Francën do të mobilizohen rreth 110 mijë agjentë policie, forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë, që do të patrullojnë që nga mëngjesi e deri në mbrëmje rrugët.

Natyrisht që pjesa më e madhe e policisë do të përqendrohet në Paris, ku pritet të jetë edhe pjesa dërrmuese e tifozëve, por në çdo qytet gatishmëria do të jetë në nivelin më të lartë.,

“Ne duam t’i përjetojmë këto momente feste si të tilla dhe të evitojmë çdo incident, në Paris dhe kudo në Francë. Niveli ynë i gatishmërisë është çdo ditë i lartë, por situata do të jetë edhe më e tensionuar për shkak të finales, ndaj gatishmëria do të jetë edhe më e lartë”, u shpreh ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerard Collomb.