Xhafaj i përgjigjet Antimafies: Këtë vit do të zerohet kultivimi i kanabisit

Nga Vlora, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ktheu përgjigje akuzave të opozitës lidhur me raportin e Antimafies italiane, duke thënë se brenda këtij viti do të zerohet kultivimi i kanabisit. Duke folur për sigurinë dhe kriminalitetin, Xhafaj ju drejtua opozitës që të jetë e përgjegjëshme për atë që thotë.

Pyetjet nga gazetarët

Meqenëse përmendët sigurinë, unë do doja të pyesja për efikasitetin e pikës kufitare. A është vendosur në punë skanderi? A do të vendoset në punë ai dhe cilat janë disa nga problematikat që keni konstatuar gjatë vizitës tuaj këtu?

Është një pyetje e drejtë, një nga çështjet që kam diskutuar gjithashtu me Drejtorinë Vendore të Kufirit, ka të bëjnë me çështjet që kanë të bëjnë me trafikun dhe pavarësisht treguesve pozitiv, ende ka vend për një kujdes të shtuar edhe nga pikëpamja logjistike por edhe nga pikëpamja e efikasitetit të strukturave këtu për frenimin e trafikut, si të trafikut të drogës ashtu edhe të trafikut të qenieve njerëzore.

Natyrisht, edhe njëherë dua ta ritheksoj se përkundër asaj propagandës të shfrenuar që bëhet për të nxirë çdo gjë, rezultat janë pozitive por ne mbetemi të kujdesur, mbetemi të vëmendshëm për të qenë edhe më efikas në gjithë këtë çfarë kemi ndërmarrë.

Ka një gjë pozitive përshembull nga pikëpamja e kultivimit të Kanabisit, gjithë zona e Vlorës ka rezultate të pakrahasueshme me vitin e kaluar që ka qenë një vit i jashtëzakonshëm nga ky këndvështrim dhe jo më me vitet e mëparshme që besoj se ju jeni vet dëshmitarë të këtij realiteti. Dhe e gjithë kjo është rrjedhojë së pari e ndërgjegjësimit të vet qytetarëve dhe banorëve të Vlorës dhe meritojnë një falënderim të veçantë për këtë gjë. Është merita e juaja, e medias që e keni sensibilizuar në mënyrë të vazhdueshme këtë çështje, por pa dyshim është edhe meritë e strukturave shtetëror dhe posaçërisht e strukturave policore dhe unë besoj që ky do të jetë viti gati-gati i kultivimit zero të Kanabisit në territorin e Vlorës.

Puna juaj e vazhdueshme e qeverisë, ju e quani të suksesshme por megjithatë lufta kundër narkotrafikut është gjithmonë një anatem nga opozita shqiptare.

Ministri Xhafaj: Çdo opozitë natyrisht, nuk ka për detyrë të përkëdheli qeverinë që është në pushtet, por çdo opozitë duhet të jetë e përgjegjshme për atë çfarë bën dhe në atë çfarë thotë dhe në këtë kontekst, motoja që ka sot opozita “Shpif, shpif se diçka do të mbetet” mendoj që është zgjidhja më e gabuar që ka bërë dhe në funksion dhe në mungesë të një alternative serioze dhe të besueshme, por që është edhe një dëm i jashtëzakonshëm që i bëhet, imazhit të vendit, imazhit të qytetarëve dhe vetë imazhit të qytetit të Vlorës.

Natyrisht opozita do të bëjë të vetën. Ne jemi këtu për të bërë tonën, për të bërë detyrën dhe unë besoj që treguesit e sigurisë e kriminalitetit në tërësi në vend por veçanërisht në qytetin e Vlorës janë në përmirësim dhe do të jenë akoma më shumë në përmirësim në periudhën në vazhdim.

Mjetet e vogla ujore, në disa raste kanë tejkalim të kapaciteteve, gjë e cila mund edhe të rrezikojë jetën e qytetarëve. Sanksionet do të ndërmerren në mënyrë të ashpër këtë vit? Pasi janë edhe më të ashpra…

Keni shumë të drejtë në këtë që keni konstatuar. Së pari, dua të them se masat janë ashpërsuar. Ne kemi komunikuar me biznesin edhe me të gjithë ata që janë operatorë të tregut turistik gjatë kësaj periudhe, për të qenë tërësisht të kujdesshëm në respektimin të rregullave që janë vendosur sepse janë në interes të tyre, në interes të zhvillimit të turizmit me standardet e kërkuara por dhe në funksion të sigurisë së qytetarëve natyrisht këtu ka vend për përmirësim.

Së pari, besoj unë autoritetet vendore duhet të përcaktojnë më mirë rregullat që janë dhe duhet të jenë shumë më të fokusuara. Ka vend për operatorët turistik që shërbejnë në këtë fushë, por pa dyshim ka vend edhe për Policinë, ka qenë një nga çështjet që kemi diskutuar sot, pikërisht një vëmendje e shtuar ndaj mjeteve që transportojnë nga vija në Sazan dhe Karaburun, do një vëmendje të shtuar të Policisë Kufitare në këtë aspekt dhe kjo është një çështje për të cilën kemi tërhequr vëmendje, ashtu siç kemi tërhequr vëmendjen për nevojën për të mos vendosur thjesht kulla vrojtimi, por për të qenë efiçente edhe me njerëzit e përshtatshëm për të qenë vrojtues. Se çfarë kuptimi ka të kemi kullën dhe nuk kemi vrojtuesin. Çfarë kuptimi ka që caktojmë vendet ku do të rrinë mjetet ujore dhe nëse ato nuk respektohen, ose nuk ka shenja dalluese ku duhet të lëvizin.

Nga pikëpamja e rendit dhe sigurisë publike, si e vlerësoni sezonin turistik?

Sezoni turistik sapo ka filluar. Ajo që dua të them unë është që, 6 mujori nga pikëpamja e treguesve të kriminalitetit në tërësi në shkallë vendi është shumë pozitiv.

Ne këtë e prezantuam edhe në një analizë para disa ditësh që zhvilluam në Tiranë, por edhe kjo është diskutuar gjatë kësaj jave me Drejtorin e Përgjithshëm në analizën që ka bërë, por edhe sot , me takimin që pata me drejtuesit vendor këtu dhe Drejtorin e Departamentit, rezulton që shifrat janë në trend pozitiv, por kjo nuk ka absolutisht vend për kënaqësi për 2 gjëra, sepse janë mundësitë që të ishin dhe të jenë akoma më të mira, dhe e dyta ju e dini që sezoni turistik ka gjithmonë një potencial të shtuar të riskut, të kriminalitetit në këtë territor.

Kjo natyrisht na ka bërë ne që të jemi shumë më të vëmendshëm, shumë më të kujdesshëm, duke reflektuar edhe nga gabimet që kemi bërë në të shkuarën, përfshi edhe vitin e kaluar nëse dëshironi ta them këtë, nga pikëpamja e analizave që kemi bërë, refleksioneve në mënyrë që të kemi edhe një prezencë më të shtuar edhe një organizim shumë më të mirë. Kemi qenë shumë të qartë që do të jemi shumë më të kujdesshëm, shumë më të sjellshëm me qytetarët, dhe do ju kërkoja juve këtu mbështetjen tuaj për të raportuar dhe informuar çdo lloj shqetësimi që ka në raportin që forcat e policisë kanë me qytetarët, ashtu sikundër do të jemi, e kam thënë shumë qartazi dhe po e përsëris, shumë të ashpër me elementët me precedentë kriminalë.

Një ngjarje që ka bërë shumë bujë ka qenë ngjarja e Dhërmiut, e Himarës, e diskos pra, dhe që po përflitet shumë në një farë mënyre që ajo ngjarje po mbahet, që ka një autor tjetër të vërtet dhe jo autori që është. Në rastin konkret, kjo ngjarje ka një vëmendje meqë ka pasur edhe turistë në atë disko?

Ministri Xhafaj: Aty se ka turistë, s’ka turistë, në çdo kohë që të ishim është një ngjarje për t’u vlerësuar, sepse është një ngjarje e rëndë.

Nuk më takon mua si Ministër që të ndërhyjë në çështje, hetimore. Padyshim di të them dhe këtë e them me shumë përgjegjësi që policia është shumë e angazhuar për ta zbardhur atë deri në fund edhe përsa i përket elementëve që kanë qenë drejtpërsëdrejti dhe atyre që mund jenë mbrapa personave në fjalë, që mund të jetë i lidhur me një grindje të rastit, apo me një gjë të vjetër, siç janë dhe siç kanë ndodhur rëndom gjëra të kësaj natyre.