Shpërndanin kokainë në ish-Bllok dhe Komunë të Parisit 1 i arrestuar, 2 në kërkim

Policia e kryeqytetit ka goditur një rast të shpërndarjes së drogave të forta. Në kuadër të operacionit të koduar “The Weekend Surprise”, një person u arrestua dhe u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët, të cilët shisnin kokainë në ish Bllok, Komune te Parisit dhe Tirane e re.

Në pranga u vu Fatjon Veseli, 44 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Drejtim automjeti në gjendje të dehur.

“Shërbimet e Policisë ishin në ndjekje të shtetasit të lartpërmendur pasi dispononin informacion se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë shpërndante lëndë narkotike të llojit “Kokainë” në formë dozash në bazë klientele, në zonën e “Ish- Bllokut”, “Komunës së Parisit” dhe “Tiranës së Re”. Ky shtetas është konstatuar nga Shërbimet e Policisë në zonën e Liqenit Artificial dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar, brenda çantës së tij të krahut i është gjetur një qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, sqaron policia.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi është gjetur një motorr pa targa, i cili pas verifikimeve të kryera rezultoi i vjedhur.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 201 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, motorr dhe aparat celular

Po ashtu u shpallën në kërkim dhe dy bashkëpunëtorët e të arrestuarit, ku për arsye hetimore nuk bëjmë të ditur të dhëna të tjera.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal.