Kalendari/ Kush janë gjyqtarët e prokurorët që kalojë në “sitën” e vettingut javën që vjen

Javën që vjen, në sitën e vetingut do të jenë të paktën pesë subjekte. Kështu, java nis ditën e hënë me Artan Zenelin, gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Zeneli do të jetë përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në orën 13:00.

Trupa gjykuese përbëhet nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Xhensila Pine. Një ditë më pas, ditën e martë, do të kemi në veting gjyqtaren e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosovën.

Kujtojmë se kjo ka qenë pjesë e trupës gjykuese, që i riktheu pasaportën ish-ministrit nën hetim, Saimir Tahirit. Seanca për gjyqtaren Kosova mbahet në orën 11:00 dhe trupa gjykuese përbëhet nga Firdes Shuli, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj.

Po atë ditë, në orën 13:00, përballë KPK-së do të jetë Antoneta Sevdari, prokurore e Prokurorisë së Tiranës. Më pas, ditën e mërkurë, më 18 korrik, përballë KPK-së do të jetë Ervin Metalla, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe Arben Nela, prokuror i Prokurorisë së Tiranës.