S’ka më femra të bukura në stadiume, FIFA i kërkon kanaleve televizive t’i transmetojnë sa më pak

Drejtori i FIFA-s për qëndrueshmëri dhe diversitet Federico Addiechi u ka bërë thirrje kanaleve televizive që të shfaqin sa më pak sekuenca të grave të bukura në shkallët e stadiumeve.

Addiechi shprehet se organi qeverisës i futbollit botëror dëshiron që për femrat të krijohet një imazh më i respektueshëm si tifoze dhe jo si “mjet” atraksioni.

Rrjeti FARE (Rrjeti kundër Racizmit në Evropë) që bashkëpunon me FIFA-n dhe monitoron sjelljen e tifozëve në evenimente të tilla shprehet se janë dokumentuar më shumë se 30 raste të ngacmimeve seksuale të grave tifoze.

Përveç seksizmit, racizmi u quajt çështja më problematike por asnjë rast i rëndë diskriminues nuk është raportuar deri më tani.