Manjani: Nëse ia lyp një femre harrohesh në burg, nëse shet femra je i nderum

Vendimi i sotëm i Gjykatës që e dënon me 60 orë pune në interes publik ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi, i cili u cilësua fajtor për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit është komentuar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Përmes ironisë në një koment në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Ylli Manjani shprehet se një vendim i tillë është sinjal i një drejtësie të shtrembëruar.

Reagimi i plotë i Ylli Manjani:

Më në fund drejtësia u vendos!

E barabartë sa më ska!

Nëse ja lyp një femre, harrohesh në burg! Nëse shet femra je i nderum e i rrespektum në liri të plotë!!!

Rilindje e drejtë, si drapri!

Çështja “Roshi”

Elvis Roshi do të vuajë 60 orë punë në komunitet, pasi në vitin 2016 falsifikoi formularin e dekriminalizimit. Vepra penale e falsifikimit të vulave dhe formularëve parashikon një dënim nga gjobë deri në 4 vjet burg, ndërsa togat e zeza të kryeqytetit vendosën të pranonin rrethanat lehtësuese që prokurori Elik Gjini dhe avokati Maksim Haxhia lexuan në sallën e gjyqit.

Vetë prokurori kërkoi dënimin me 7 muaj e 15 ditë burg për Roshin dhe pezullimin e dënimit me burg, për shkak të rrethanave lehtësuese, ndërsa gjykata vendosi dënimin me 5 muaj burg dhe konvertimin e dënimit me 60 orë punë në shërbim të komunitetit. I pranishëm në sallën e gjyqit, Roshi deklaroi se ishte dakord me këtë dënim.

Kur plotësoi formularin e dekriminalizmit në vitin 2016, Elvis Roshi nuk kishte deklaruar dënimin në Itali, për veprën penale të përdhunimit, e ndodhur në vitin 1992. Gjithashtu, ai nuk kishte deklaruar edhe emrat e tjerë që përdorte në disa shtete të Evropës, si Bardhi Biba, Elvis Roki, etj.

Avokati u shpreh se klienti i tij ishte emigrant dhe detyrohej nga rrethanat që të përdorte këto emra, ndërsa sipas tij, është rihapur procesi gjyqësor për përdhunimin në Itali. Roshi behët i pari zyrtar i lartë që preket nga dekriminalizimi.

Shënim i redaksisë Koha jone online: Redaksia mirëpret edhe reagimin e Elvis Roshit në lidhje me komentin e mësipërm