Hashim Thaçi: Ata që kanë problem me ligjin nuk mund të takohen me mua

Presidenti i Kosoves, Hashim Thaçi ka thënë sot se ata që kanë problem me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga përkatësia etnike. Thaçi këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri një kompanie vendore. Ai tha se në Presidencë verifikohet çdo përbërje e delegacioneve të partive politike që kërkojnë takim me presidentin e vendit.

“U takova me përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptarë dhe jo shqiptarë. Takohem për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm për institucionet e vendit në procesin euroatlantik që na pret sot e nesër. Tash në këtë moment shumë të rëndësishëm që kemi për liberalizimin e vizave por edhe për t’ju komunikuar dhe shërbyer të gjithëve, natyrisht se çdo përfaqësi politike që kërkon takim me presidencën, verifikohet përbërja e delegacionit kështu që ata që kanë problem me ligjin nuk mund të jenë prezent në takimet që mban presidenti i vendit, pavarësisht nga etnia që ka”- ka thënë Thaçi.

Kjo deklaratë e presidentit Hashim Thaçi vjen një ditë pasi kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka takuar krerët e Listës Serbe, kryetarin e Listës serbe, Goran Rakic dhe nënkryetarin Milan Radojçiq. Ky i fundit njihet për përfshirje në vepra jo ligjore në veri të vendit.