Sytë e botës te gjysmëfinalja Kroaci-Angli, fituesi shkruan histori

Anglia dhe Kroacia përballen sot në orën 20.00 në Moskë në gjysmëfinalen e Botërorit Rusi 2018, për një biletë historike në finale e madhe. Të dyja skuadrat kur erdhën në këtë Botëror llogariteshin ndër emrat e fortë, por tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Historiku midis dy skuadrave është në favor të britanikëve. Anglia ka fituar katër nga shtatë ndeshjet e luajtura kundër Kroacisë, përfshi suksesin 5-1 në sfidën e fundit zyrtare, në eliminatoret e Kupës së Botës 2010.

Anglia dhe Kroacia nuk janë ndeshur kurrë në një Kupë të Botës. Përballja e tyre e vetme në një turne madhor ka qenë në Euro 2004, ku anglezët fituan 4-2.

Gjithsesi kjo është CV-ja, ajo që lojtarët do të tregojnë sot në fushë do të përcaktojë edhe triumfuesin që do shkruajë historinë.