PD nuk e njeh si Prokurore të Përgjithshme Arta Markun

Kryeprokurorja, Arta Marku, po raporton para deputetëve të Komisionit të Ligjeve për analizën vjetore të institucionit.

Që prej zgjedhjes së saj në detyrën e kryeprokurores rreth 7 muaj më parë, kjo është hera e parë që Arta Marku është përpara deputetëve.

Seanca nisi me debate, që kur kreu i Komisionit Ulsi Manja bëri prezantimin e Markut si Prokurore e Përgjithshme, tagër që sipas opozitës nuk e ka.

Paloka: Me çfarë tagri e keni thirrur zonjën, sapo  përmendët titullin Prokuror i Përgjithshëm. Është një titull që nuk e ka zonja me gjithë dëshirën tuaj të madhe.Në institucionin e parlamentit, në komisionin e ligjeve thirren institucionet kushtetuese. Zonja nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën. Është zgjedhur në parlament me 69 vota, më pak edhe sesa Damian Gjiknuri. Prokurori i Pëgjithshëm zgjidhet me 84 vota dhe ai është institucion kushtetues dhe ka një arsye pse zgjidhet me 84 vota. 

Zonja e përsëris ka vetëm 69 vota, as votat e mazhorancës. Megjithatë ajo ka marrë përsipër këtë detyrë që i ka caktuar partia juaj, do ta çojë deri në fund. Ne jemi këtu për interesin e parlamentit dhe publikut, kemi ardhur të dëgjojmë dhe raportimin por sigurisht jemi më të interesuar të bëjmë të qarta si për deputetë dhe opinionin publik disa çështje që kur ka ardhur zonja në krye të prokurorisë nuk kanë marrë as përgjigje dhe as sqarime. 

Pas raportimit ne do bëjmë pyetjet për të sqaruar të gjithë këto çështje që janë lënë në errësirë dhe që janë të gjitha të lidhurra me shkelje të ligjit, shkelje kushtetuese dhe me akte që këtë zonjën duhet ta kishin çuar përballë vetëvetes jo këtu ku është sot.

Ish-prokurorja e Shkodrës mori detyrën në dhjetor 2017, duke pasuar në krye të organit të akuzës, Adriatik Llallën.

Më herët raportoi Gjonaj

Më herët raportoi në Komisionin e Ligjeve, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Ministrja foli mbi mënyrën e zbatimit nga organi i Prokurorisë të rekomandimeve prioritare të dhëna nga Këshilli i Ministrave në luftën kundër kriminalitetit gjatë vitit 2017.