Kroacia në histori, mposht Anglinë dhe sfidon në finale Francën (VIDEO)

Kroacia hyn në histori. Skuadra ballkanase ka siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Botës që do të zhvillohet më 15 korrik ndaj Francës. Skuadra e drejtuar nga Dalic fitoi 2-1 ndaj Anglisë në ndeshjen e zhvilluar në “Luzhniki Stadium”, pasi koha e rregullt kishte përfunduar në barazim. Ekipi i Southgate e nisi mjaft mirë ndeshjen duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 5-të. Trippier ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë prej 25 metrash, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Subasic. “Tre luanët” morën zemër nga goli dhe kërcënuan portën e Subasic në dy raste me Meguire, i cili në minutën e 14-t, ishte pranë golit me një goditje me kokë.

5 minuta më pas Kroacia dha kërcënimin e parë në portën e Pickford me një goditje të Perisic nga distanca, por goditja e mesfushorit përfundoi jashtë kuadratit. Në minutën e 30-të skuadra e Dalic humbi një mundësi të artë me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e cila u ndal mjaft mirë nga portieri anglez. 5 minuta më pas “tre luanët” kërcënuan sërish portën e Subasic, me një goditje të Lingard në hyrje të zonës, e cila për fatin e mirë të kroatëve përfundoi jashtë kuadratit. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që në fillimin e së dytës kroatët shtojnë sulmet, por vuajnë shumë për të gjetur hapësira. Këmbëngulja e ekipit të Dalic do të shpërblehej në minutën e 70-të me Perisic, i cili shënoi pasi fitoi duelin me Walker, duke devijuar topin me takë për në rrjetë.

Disa sekonda pas golit, mesfushori i Interit tronditi anglezët, duke goditur shtyllën pas një aksioni shumë të bukur në hyrje të zonës. Në minutën e 83-të, Mario Mandzukic kontrolloi mjaft topin brenda zonës, dhe më pas tentoi me një goditje të fortë, por Pickford e ndali mjaft mirë. Dy minuta më pas Perisic humbi një shans të artë me portën e boshatisur pas një grushtimi të gabuar të gardianit anglez. Koha e rregullt u mbyll me rezultatin 1-1, ndërkohë që shtesa e parë nisi më mirë për Anglinë, teksa në minutën e 98-të, Stones goditi mjaft mirë me kokë, por mbrojtësi Vrsaljko largoi topin në vijën e portës, duke shpëtuar një gol të sigurt. Kroacia ndërkohë kundërpërgjigjet mjaft mirë në fundin e shtesës së parë me Mandzukic shpërdoroi një mundësi të artë përballë Pickford, i cili e ndali me këmbë. Sulmuesi i Juventusit nuk gaboi në minutën e 109-të, duke shënuar një gol historik pas një pasimi fantastik të dhënë nga Perisic.