Kroaci-Angli shkon në shtesë, 90 minutat nuk nxjerrin finalistin e dytë të Botërorit (VIDEO)

Kroacia dhe Anglia nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në 90 minutat e gjysmëfinales që po luhet “Luzhniki Stadium”. Ekipi i Southgate e nisi mjaft mirë ndeshjen duke gjetur golin e avantazhit që në minutën e 5-të. Trippier ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga një distancë prej 25 metrash, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Subasic. “Tre luanët” morën zemër nga goli dhe kërcënuan portën e Subasic në dy raste me Meguire, i cili në minutën e 14-t, ishte pranë golit me një goditje me kokë.

5 minuta më pas Kroacia dha kërcënimin e parë në portën e Pickford me një goditje të Perisic nga distanca, por goditja e mesfushorit përfundoi jashtë kuadratit. Në minutën e 30-të skuadra e Dalic humbi një mundësi të artë me një goditje të fortë në hyrje të zonës, e cila u ndal mjaft mirë nga portieri anglez. 5 minuta më pas “tre luanët” kërcënuan sërish portën e Subasic, me një goditje të Lingard në hyrje të zonës, e cila për fatin e mirë të kroatëve përfundoi jashtë kuadratit. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërkohë që në fillimin e së dytës kroatët shtojnë sulmet, por vuajnë shumë për të gjetur hapësira.

Këmbëngulja e ekipit të Dalic do të shpërblehej në minutën e 70-të me Perisic, i cili shënoi pasi fitoi duelin me Ëalker, duke devijuar topin me takë për në rrjetë. Disa sekonda pas golit, mesfushori i Interit tronditi anglezët, duke goditur shtyllën pas një aksioni shumë të bukur në hyrje të zonës. Në minutën e 83-të, Mario Mandzukic kontrolloi mjaft topin brenda zonës, dhe më pas tentoi me një goditje të fortë, por Pickford e ndali mjaft mirë. Dy minuta më pas Perisic humbi një shans të artë me portën e boshatisur pas një grushtimi të gabuar të gardianit anglez.