Emri i Maqedonisë, Zaev: Datat e mundshme për referendumin janë 23 dhe 30 shtatori, ose 7 tetori

Pas samitit të NATO-s të gjitha partitë politike do të kenë një takim në Kuvendin e Maqedonisë. “Do t’i përcaktojmë elementet e referendumit, detajet për çështjen e cila do të parashtrohet në referendum, dhe për karakteristikat e referendumit”, thotë kryeministri Zoran Zaev në një deklaratë për agjencinë greke të lajmeve ANA-MPA.

Zaev shfaqi shpresë se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe i përsëriti datat e mundshme – 23 shtatorin, 30 shtatorin apo 7 tetorin, për siç tha, “të ketë kohë të mjaftueshme që të finalizohen të gjitha proceset deri në fund të vitit”.

“Referendumi e dimë se do të përfundojë me sukses dhe shpresojmë se të gjithë do të jenë të motivuar për të kontribuuar që procesi i referendumit të ketë sukses të madh, pasi që është shumë i rëndësishëm për vendin tonë”, thotë kryeministri i Maqedonisë.