Balla: Dorëzova prova të reja kundër Bashës në Prokurori

Gjykata e Krimeve të Rënda zhvilloi dje seancën për të shqyrtuar kërkesë padinë e bërë nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës për shpifje. Por Basha mungoi në seancë pasi ndodhet në SHBA. Pas deklaratës në media që dha dje Balla tha se do të jepte fakte të reja për kryetarin e opozitës.

Në një postim në rrjetin social Balla njofton sot se ka depozituar fakte të reja në Prokurorinë e Tiranës.

Postimi i plotë

Në vijim të transparencës dhe ndershmërisë përballë opinionit publik, sapo kemi depozituar në Prokurorinë e Tiranës parashtrime dhe fakte të reja, në plotësim të Kallzimit Penal datë 27.06.2018, ndaj personit të kallëzuar Lulzim Basha për disa vepra penale.

Jemi të bindur se këto hapa ligjorë do të zbardhin shpifjet dhe ofendimet e turpshme të esadistit Lulzim Basha, ndaj meje dhe ndaj gjithë grupit tim parlamentar. Në fund të këtij procesi drejtësie ky gojë përdalë do të marrë një dënim shembullor.

Nuk kam asnjë dyshim që afera e transportit të eurove të sekuestruara do të zbardhet plotësisht me kapjen e autorëve në kërkim (me të cilët lidhja e PD është organike, ndërsa e Lulzim Bashës me ta është sa afër në provën fotografike, aq edhe thellë në njohje të vjetra politike dhe personale).

Jemi të vendosur që me Lulzim Bashën dhe esadistët e tij të ndjekim gjithnjë e më shume rrugën gjyqësore të përballjes me shpifjet e ndyra e me gënjeshtrat ofenduese të tyre. Ata tanimë duhet t’i mesojmë të sjellin prova para publikut, të turpërohen sic e meritojnë në sallat e gjyqeve dhe të procedohen penalisht kur shkelin ligjin.