Auditimi i jashtëm, përfundon Projekti IPA 2013. Vlahutin: Kujdes me paratë e qytetarëve

Institucionet shqiptare duhet të tregojnë kujdes me menaxhimin e parave publike. Po ashtu KLSH duhet të forcojë auditimin e jashtëm. Kjo është thirrja e ambasadores së Bashkimit Europian Romana Vlahutin gjatë aktivitetit të përfundimit të projektit të binjakëzimit IPA 2013,  për forcimin  e kapacitetit të auditimit të jashtëm. Sipas Vlahutin, qeverisja e mirë ekonomike është në themel të çdo shteti që kërkon të jetë anëtar i BE .

“Qeverisja e mirë ekonomike dhe lufta kundër korrupsionit janë themel për çdo shtet që do të bashkohet me BE. Kjo nënkupton që ne duam që financat publike të mirëmenaxhohen në mënyrë të përgjegjshme. Qytetarët shqiptarë kanë të gjitha të drejtat për të ditur se çfarë është bërë me paratë e tyre. BE-ja do të mbështesë KLSH-në për të përmirësuar cilësinë e raporteve për t’i bërë sa më të kuptueshme për qytetarët. Po ashtu është shumë i rëndësishëm përçimi i rolit të KLSH-së dhe parlamentit për të parë se si zbatohen rekomandimet. Edhe shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në këtë rast ndaj duhet të jetë më aktive”, tha Vlahutin.

Lidhur me projektin, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, tha se ka ndikuar në rritjen e standardit të punës por që nuk është mjaftueshëm dhe se bashkëpunimet do të vijojnë.

“Nëpërmjet këtij projekti binjakëzimi, transferimi i njohurive dhe aftësive tek audituesit e KLSH-së, ka përmirësuar dhe do të vijojë të përmirësojë standardet dhe transparencën e metodave të punës. Së dyti, KLSH përballë sfidave të zhvillimit po mbështetet tek një personel me kualifikime të larta dhe sisteme e procese moderne menaxhimi. Dobia më e madhe dhe vlera e shtuar e këtij projekti të financuar nga BE qëndron në faktin se ai vendos piketa të qëndrueshme për zhvillimin e auditimit të jashtëm publik për vitet 2020-2025 , kohë kur sigurisht Shqipëria do të jetë vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, u shpreh Leskaj.

IPA 2013 , një projekt i financuar nga BE  me vlerë prej 2.1 mln euro realizoi 93 misione ekspertësh, 6 vizita  pune dhe shkëmbime eksperiencash. Ky projekt pati një shtrirje kohore më shumë se dy vite.