A do ta mbronte Thanzën, nëse do të ishte anëtar i KPK-së, zoti Admir?!

Çfarë nuk na dëgjojnë veshët nga sektori i drejtësisë! Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza ka dalë dje para komisionit të Vetingut. Në analizën e pasurisë spikatën disa çështje të diskutueshme. Por më kryesorja kishte të bënte me faktin se ai ishte dënuar me burg në Itali dhe nuk e kishte deklaruar. Nuk po i hyjmë rastit nëse ka qenë dënim për fajin e tij apo të kunatës, por fakti mbetet se është dënuar me 40 ditë burg dhe me gjobë. Dhe nuk e ka deklaruar. Bile nëse hyjmë me thellë ka mbrojtur një autor krimi duke u bërë vetë viktimë, pra ka fshehur krimin. Sado krim i vogël mund të ketë qenë, prapë e ka manipuluar. Në gjykatën e lartë ai nuk ka falur, raste të përafërta, kur ka gjykuar!

Në KPK kundër gjyqtarit Thanza kanë ardhur 13 denoncime, të cilat përtej indicjeve nuk janë marrë në konsideratë. Por duke u fokusuar tek çështja e etikës profesionale dhe integriteti, relatori Komici saktësoi se gjyqtari Thanza nuk kishte deklaruar në vitin 2017, dhuratën e një garazhi nga kompania Curri Sh.p.k, e cila kishte qenë palë në një çështje në Gjykatën e Lartë në shkurt 2018 ku Thanza ka qenë relator. Sipas KPK-së gjyqtari Thanza nuk e ka përmendur këtë dhuratë, e cila është konfirmuar edhe nga dëshmia e noterit.

Pra merr dhuratë me shkrim, edhe i gjykon një çështje si gjyqtar! Kjo nuk hahet fare. Kjo është fare hapur si shkelje, edhe mungesë etike profesionale. A quhet konflikt interesi? Po. Pra guximi është me shumë se GUXIM në këtë rast. Ka gjyqtarë të tjerë, që janë të rafinuar, e ruajnë fasadën dhe fshehin gjurmët. Natyrisht që edhe këta duhen dënuar, bile pritet për një gjyqtar të gjykatës së lartë, i cili akoma nuk ka hyrë në “sharrën e Vettingut”, të dalin incizime dhe video duke bërë pazare.

Të presim!

Por le të vazhdojmë me tej. Thanza hodhi poshtë në fjalën e tij vlerësimin profesional të bërë nga KLD, duke arsyetuar se “nuk është bazuar në argumenta ligjorë.” Ai argumentoi se firma Curri Sh.p.k i kishte transferuar në vitin 2017 një garazh që ai kishte në pronësi që nga viti 2000, por që nuk ishte regjistruar në emër të tij për shkak të një gabimi administrativ të ZVRPP  Shkodër, ndërkohë që çështja në Gjykatën e Lartë kishte qëllim të rregullonte një problem juridiksioni gjykatash.”

Dhe për të vazhduar më tej, lind një pyetje: Kur i dinte këto gjëra zoti Thanza, pse nuk u largua vetë nga sistemi i drejtësisë, siç e ka Ligji? Edhe pushonte, por edhe publiku nuk i mësonte këto bëma, të cilat realisht nuk ka njeri që e mbron. Gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë kanë bërë largimin e butë nga drejtësia e tani pushojnë në bregdet.

Nuk kemi asnjë tagër të flasim për integritetin e tij si person, pasi siç na thanë në gjykatën e lartë, flasin si njeri korrekt për Thanzën, por prapë pyetja del vetvetiu: A do ta mbronte vetë zoti Thanza një gyqtar të tillë, nëse ai personalisht do të ishte në trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit?

Nuk besoj!

Por ka edhe më, me sa vijnë njoftimet. Sikurse pritej, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur sot hetimet për gjyqtari Admir Thanza, anëtar i Gjykatës së Lartë. Thanza akuzohet për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit. Hetimi ka nisur nga Seksioni i Dekriminalizimit në organin e Akuzës.

Anëtari i Gjykatës së Lartë Admir Thanza kaloi dje në sitën e vetingut, ku rezultoi me një sërë problemesh. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lexoi raportin e ILDKP ku thuhet se Thanza ka kryer deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk ka burime financiare të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij. Gjithashtu gjyqtarit Thanza iu zbulua një dënim me burg dhe një gjobë në Itali për vjedhje.

A. Marku