Takimi me Ramën, Tsipras: Po përpiqemi të zgjidhim problemet

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar Samitin e Londrës për të zhvilluar një takim kokë më kokë me homologun grek Aleksis Cipras.

Dy kryeministrat ndodhen në Londër në kuadër të punimeve të procesit të Berlinit. Takimi ka në qendër të bisedës marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, si dhe çështjet e tjera të vjetra mes dy vendeve.

Ndërkaq, vetë Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras nga Londra ka deklaruar se po përpiqen që të zgjidhin problemet mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Po përpiqemi të zgjidhim problemet midis Greqisë e Shqipërisë. Ballkani po ndryshon dhe kjo duket nga marrëveshja e Prespës dhe rigjallërimi i agjendës së Selanikut për integrimin europian të rajonit”- u shpreh kryeministri helen, Aleksis Tsipras.

Sipas mediave greke, Tsipras nuk është gati për të firmosur marrëveshjen me Shqipërinë, pasi ai po përballet me një mori kritikash nga opozita e vendit të tij pas paktit me Maqedoninë. Një situatë e tillë mund të shtyjë për pak kohë firmosjen e marrëveshjes me Shqipërinë. /Koha Jonë