Vasilika Hysi: Opozita të mos sillet pa përgjegjësi

Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi ka deklaruar se ky është një vit pune për maxhorancën, në pritje të qershorit 2019 për negociatat me Bashkimin Evropian.

Nisur nga deklaratat e bëra edhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu, për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, Hysi tha se ai ka qenë konsistent gjithmonë në qëndrimet e tij. Ajo që shqetëson është pandëshkueshmëria për disa krime. Hysi shprehet se edhe reforma zgjedhore po ecën si duhet, por mbetet në pritje të gjetjes së konsensusit me opozitën.

Znj.Hysi, Këshilli i BE-së caktoi qershorin e vitit 2019 për diskutimin e hapjes së negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që ju si maxhorancë prisnit që ato të hapeshin këtë qershor. A ndiheni të zhgënjyer?
Deri më sot Shqipëria nuk kishte marrë një datë të caktuar për hapjen e negociatave. Është hera e parë që Këshilli Evropian caktoi datën, ndërkohë që Komisionin Evropian që ndjek nga afër reformat në Shqipëri dhe progresin e arritur i rekomandoi Këshillit hapjen e negociatave pa kushte. Unë nuk ndihem e zhgënjyer kur analizoj progresin e bërë dhe nevojën për vazhdimin e reformave, përbërjen si dhe problematikat me të cilat përballet vetë Bashkimi Evropian, për shkak të rritjes së partive politike të djathta dhe presionit që ato u ushtrojnë qeverive të tyre. Ky është një vit skanimi analitik për progresin e bërë dhe nuk duhet të humbim kohë me debate jo produktive, por të vazhdojmë reformat e nisura dhe të bëjmë më të dukshme rezultatet.

Një nga rekomandimet që janë dhënë për këtë vit parapërgatitor deri në marrjen e një vendimi vitin që vjen është edhe reforma zgjedhore, për të cilën ka kohë që diskutohet, por ende asnjë draft final. A do t’i mbetet sërish minutës së fundit ndryshimi i Kodit?
Reforma zgjedhore ka filluar tashmë. Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore është mbledhur në mënyrë të vazhdueshme. Të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ ODIHR në raportet e vitit 2013, 2015 dhe 2017 janë evidentuar, grupuar sipas fushave dhe tematikave dhe janë marrë një për një në shqyrtim në mbledhjet e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndryshe nga reformat e tjera zgjedhore, komisioni po ndjek një metodologji që mund të ketë marrë kohë më shumë, por është e dobishme. Ky proces është gjithëpërfshirës dhe për çdo grup rekomandimesh janë zhvilluar seminare, konferenca, konsultime me ekspertë vendas dhe ndërkombëtare, të partive politike, të pavarura, të shoqërisë civile, të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Gjithashtu, janë zhvilluar seanca dëgjimore dhe janë analizuar raportet dhe rekomandimet e vëzhguesve vendore. Me mbylljen e konsultimeve publike, fillon përgatitja e shtesave dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ky proces nuk do të lihet për minutën e fundit, nëse mbajmë parasysh ecurinë e procesit të konsultimeve. Gjithçka do varet nga gjetja e konsensusit mes forcave politike, pasi ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë konsesuale dhe të votohet me 84 vota.

Në bazë të këtyre rekomandimeve të Këshillit të BE-së, për një dialog më konstruktiv me opozitën, si do të arrini të lidhni urat e bashkëpunimit gjatë këtij viti?
Në fakt, për shumë çështje ka pasur përpjekje për të arritur konsensus me opozitën. Mjafton të sjell në vëmendjen tuaj dhe të lexuesve që Kodi i Sjelljes së deputetëve u miratua pas 3 viteve pritjeje të konsensusit me opozitën, ndonëse kjo na dëmtoi shumë. E them këtë se miratimi i Kodit të Sjelljes ishte jo vetëm i nevojshëm, por edhe kusht nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (Greco). Kemi më shumë se një vit, që presim opozitën të vijojë mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit për të reflektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në ligjet e paketës së reformës në drejtësi, apo përpjekjet e bëra për të arritur konsensus për ngritjen e organeve të vetingut. Mazhoranca është e hapur dhe do të vazhdojë të mundësojë gjetjen e konsensusit me opozitën, por nga ana tjetër, opozita duhet të marrë dhe të përmbushë përgjegjësitë e saj lidhur me integrimin evropian. Deri më sot angazhimi i opozitës lë shumë për të dëshiruar.

A ka një strategji të vetën maxhoranca në Kuvend, përballë bllokimit nga ana e opozitës, të cilën e paralajmëroi sërish kryetari i PD-së?
Kryetari i opozitës betohet dhe përbetohet për rolin e tij dhe të opozitës në përmbushjen e detyrimeve dhe krijimin e kushteve për hapjen e negociatave. Kjo sjellje nuk është kontribut, por bllokim i procesit dhe krijim i një imazhi negativ për vendin dhe mbi të gjitha mosmarrje përgjegjësish. Kuvendi luan një rol të rëndësishëm në proceset e integrimit evropian jo vetëm mes ushtrimit të funksionit legjislativ dhe atij të kontrollit parlamentar të qeverisë drejtpërdrejt dhe mes institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, por edhe mes Këshillit të Integrimit Evropian, të cilin e drejton opozita. Nëse duam të bllokojnë këto procese, dëmin më të madh ia bëjnë Shqipërisë dhe shqiptarëve si dhe vetes së tyre. Shqiptarët të ndëshkojnë me votë. Mazhoranca do të vazhdojë me përkushtim të përmbushë detyrat e shtëpisë.

PD ka kërcënuar me djegien e mandateve deri në zhbërjen e Kuvendit. A ndiheni të “kërcënuar” nga ky paralajmërim i opozitës?
Opozita mund të vendosë vetë çfarë të dojë. Çdo deputet e fiton mandatin e vet falë besimit dhe votës së zgjedhësve. Nga momenti i fitimit të mandatit, secili prej nesh ka përgjegjësi ta ushtrojë atë në përputhje me programin dhe në interes të publikut. Opozita është në parlament për të përfaqësuar zgjedhësit e saj dhe të bëjë oponencën e qeverisjes dhe të ofrojë alternativa më të mira se ato që ofron qeveria. Opozita nuk mund të sillet pa përgjegjësi dhe të vërë interesat e disave, qoftë edhe të liderit mbi interesat e zgjedhësve, të publikut dhe të vendit. Nëse duan të djegin mandatet, ligji parashikon hapat ligjore që duhen ndërmarrë.
Ju ka ndodhur edhe ju, gjatë drejtimit të seancës parlamentare që të jetë ndezur debati. Sa i vështirë ka qenë menaxhimi i saj?
Zhvillimi i seancave plenare bazohet në Rregulloren e Kuvendit. Sjellja e deputetëve gjatë seancës rregullohet nga Rregullorja e Kuvendit dhe Kodi i Sjelljes së deputetëve, që është pjesë e rregullores. Me drejtimin e kryetarit të Kuvendit, rregullorja ka filluar të zbatohet shumë më mirë sesa më parë, pavarësisht nëse deputeti i përket mazhorances apo opozitës. Megjithatë, ndryshe nga çfarë thotë rregullorja, ka deputetë që nuk e njohin atë, mund të jenë të rinj ose nuk njohin atë ose edhe kur e njohim, nuk e respektojnë atë. Shpesh rregullorja cenohet për shkaqe të krijuara për të bllokuar ecurinë normale të seancës plenare ose ka deputetë që duan të tregojnë sesa “besnikë” janë për kryetarin. Situata të tilla kërkojnë qetësi nga drejtuesi i seancës, ligjshmëri, respektim të rregullores së kuvendit, sjellje në vëmendje të deputetit të rregullave që duhet të respektojë dhe shkeljeve që bën dhe kur ka shkelje, zbatohen sanksionet e parashikuara në Rregullore. Deri më sot, barra më e madhe i ka rënë kryetarit të Kuvendit dhe më pak mua. Megjithatë, edhe unë kam pasur momente që duhej t’i menaxhoja me kujdes dhe them se i kam menaxhuar, duke respektuar rregullat edhe ndaj kolegëve të mi të mazhorancës.

Në një nga deklaratat e fundit të tij, ambasadori i SHBA-ve në ikje, Donald Lu foli për dështim të policisë dhe prokurorisë për “peshqit e mëdhenj”. Si e gjykoni këtë deklaratë?
Ambasadori i SHBA-ve, z. Donald Lu ka qenë konsistent në qëndrimet e tij lidhur me efikasitetin e luftimit të krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti. Është normale që drejtësia duhet të funksionojë jo vetëm për ata që kryejnë vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të vogël, por edhe për ata që kryejnë vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe aq më shumë për persona të akuzuar janë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, funksionarë publikë ose këta të fundit mundësojnë veprimtari kriminale të rrezikshme. Pandëshkueshmëria për disa krime ose për veprat që kryejnë disa subjekte përbën shqetësim. Ndaj një nga objektivat e reformës në drejtësi ishte dhënia fund e pandëshkueshmërisë. Reforma po jep rezultatet e saj. Mjafton t’ju sjell në vëmendje aksionet e suksesshme të policisë në luftën kundër trafikimit të drogës ose pastrimit të parave. Më shumë efikasitet do duhej në hetimin dhe gjykimin e abuzimit me fondet publike dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo varet shumë nga sistemi i drejtësisë dhe trajtimi i rasteve të referuara ose të denoncuara. Unë besoj se drejtësia shumë shpejt do të japë më shumë drejtësi.

Reforma në drejtësi, në këndvështrimin tuaj, si një prej anëtareve të komisionit të posaçëm, si po vijon? Dua të vë në dukje këtu që ende nuk është krijuar Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nga ana tjetër kemi vakum në Gjykatën Kushtetuese, etj.

Reforma në drejtësi është shumë e gjerë dhe shumëdimensionale. Një aspekt i saj është miratimi i ligjeve dhe akteve nënligjore për zbatimin e ligjeve. Shumica e ligjeve të reformës në drejtësi janë miratuar. Ka ende disa ligje në procedurë parlamentare. Ato po i nënshtrohen konsultimit publik dhe me grupet e interesit. Dy ligjet që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarit dhe prokurorit dhe ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë kanë nevojë të reflektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i legjislacionit është përgjegjës për të reflektuar vendimet. Sikundër e theksova më lart, ky këshill filloi nga puna, shqyrtoi një pjesë të rekomandimeve, por nuk u mblodh më. Këshilli drejtohet me rotacion dhe radhën e ka përfaqësuesi i opozitës. Reforma ka edhe një aspekt tjetër: hartimin e akteve nënligjore për ligjet e miratuara. Kjo punë po ecën. Misioni Euralius V dhe misione të tjera po asistojnë organet përgjegjëse të përmbushin detyrimet. Aspekt shumë i rëndësishëm i reformës që pak përmendet dhe analizohet është miratimi i shumë shtesave dhe ndryshimeve në kode dhe ligje, parashikimi i instituteve të reja që mundësojnë akses më të mirë dhe të shpejt në drejtësi. Do vlerësoja të kishte analiza, vëzhgime dhe studime të pavarura për të parë efikasitetin e tyre dhe për të informuar më mirë publikun. Kështu, ndryshimet e mëdha të bëra në kuadër të reformës në drejtësi nuk njihen sa dhe si duhet dhe nga të gjithë, qofshin edhe profesionistë. Mjafton të sjell në vëmendjen tuaj se në kuadër të luftimit të krimit të organizuar mes goditjes së pasurive që burojnë nga aktivitete kriminale, ligji i njohur në publik si ligji antimafia ka ndryshuar duke krijuar mundësi që asetet dhe paratë e konfiskuara dhe të sekuestruara të përdoren për kompensimin e viktimave të krimit, për formimin profesional, punësimin dhe mbështetjen e shoqërisë civile që ofron shërbime ndaj viktimave. Rezultati dhe modeli i parë i përdorimit të aseteve të konfirmuara u inaugurua dje në bashkinë e Fierit me krijimin e një biznesi social që ka punësuar edhe gra-viktima të dhunës.
Reforma në drejtësi ka edhe një aspekt shumë të rëndësishëm, që shpesh mes tyre është vënë shenja e barazimit: rivlerësimi pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vetingu, pas shumë pengesash dhe vështirësish po ecëm më mirë. Aspekt tjetër i reformës në drejtësi është plotësimi i vendeve vakante në gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Në këtë proces janë të përfshirë disa institucione si: Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Po e nis nga ky i fundit, pasi është shumë me rëndësi të sqarohet publiku në mes të zhurmës së madhe dhe keqinformimit që bëhet nga opozita dhe media.

Këshilli i Emërimeve në drejtësi është zgjedhur me short në dhjetor 2017. Anëtarët duhet të vetohen me përparësi. Një pjesë janë votuar, të tjerë janë në proces. Ka ndonjë që nuk e ka kaluar me sukses këtë proces. Që mbledhjet e KED të jenë të mundura duhet 5 anëtarë. KED vlerëson kandidatët për institucionet dhe i rendit. Pra, fillimi sa më parë nga puna e këtij këshilli është me rëndësi. Kjo nuk varet nga parlamenti dhe aq më tepër nga mazhoranca, por ecuria e vetingut. Lidhur me kandidatët për në Gjykatë Kushtetuese, Presidenti i Republikës dhe Kuvendi ka përcjellë kandidaturat për rivlerësimin e tyre me përparësi. Ata janë në proces rivlerësimi. Sapo të vetohen, do të procedohet me zgjedhjen e tyre. Lidhur me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Kuvendi ka përmbushur detyrimet e tij. Ai ka zgjedhur anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë për këto organe. Kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë për këto këshilla janë duke kaluar procesin e vetingut. Sapo të mbyllet ky proces, këto organe do të ngrihen. Pra, reforma në drejtësi është shumë e gjerë dhe e thellë, komplekse dhe ka hasur shumë pengesa. Ne si maxhorancë jemi të gatshëm të mbështesim ecjen e shpejtë dhe të mirë të saj.

Si Kuvend, jemi në procesin e ngritjes së një komisioni të pavarur për të monitoruar, koordinuar dhe raportuar në Komisionin e Ligjeve dhe në parlament zbatimin e ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. /Gazeta Shqiptare/