PS tërheq ligjin e Magjistraturës, pa opozitën nuk i bën 84 vota

Maxhoranca ka tërhequr ligjin e Magjistraturës, pasi nuk ka votat për të kaluar projektligjin që i krijon Shkollës së Magjistraturës një mundësi ligjore për të hapur dyert për kandidatët e rinj që do të zëvendësojnë prokurorët dhe gjyqtarët e ”djegur” nga Vetting-u.

Duke mos pasur votat e nevojshme, dhe duke mos bërë asnjë negociatë me opozitën, mazhoranca e vetme nuk i arriti sot 84 votat. Ndaj, PS-ja kërkoi që të hiqet ligji i Magjistraturës nga votimi i ditës së sotme, dhe që të futet në një seancë tjetër.

Opozita ndodhet në protestë për shkak të manipulimit të votimit për ligjin që lejon Shembjen e Teatrit Kombëtar. Në seancën e shkuar u numërua edhe vota e deputetit të LSI-së Vangjel Tavo, kur deputeti nuk ndodhet në Shqipëri. Në fillim të seancës ishin të pranishëm nga opozita vetëm dy kryetarët e grupeve, deputeti i PD-së Edmond Spaho dhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.

Shumica ka 79 vota, pra i duheshin edhe 5 për të kaluar ligjin për prokurorët dhe gjyqtarët.