PS rrëzon opozitën: Votimi për shembjen e Teatrit i rregullt, edhe pse deputetët s’ishin në sallë

Sekretariati i Kuvendit për Procedurat dhe Votimet ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e opozitës për anulimin e votimit të ligjit për Teatrin Kombëtar që kaloi ditën e enjte me 75 vota pro. Opozita ditën e premte i dërgoi një kërkesë Kuvendit që ligji të anulohej, pasi procesin e cilëson të manipuluar.

Kërkesa e opozitës bazohej në faktin që deputeti Vangjel Tavo nuk ishte në Kuvend, ndërkohë që rezultonte se kishte votuar, pasi me kartën e tij votoi Robert Bitri, ish-deputet i LSI, tashmë i pavarur.

Për këtë arsye opozita vendosi sot që të bojkotonte Kuvendin. Ndërkohë që kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi mblodhi Sekretariatin për Procedurat dhe Votimet. Sekretariati përbëhet nga anëtarët Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Enkelejd Alibeaj nga radhët e PD.

Në fund të diskutimeve, Sekretariati vendosi që ta cilësonte votimin si të rregullt duke rrëzuar pretendimet e opozitës.

Mësohet se në mbledhje është parë videoja e ndërrimit të kartës së deputetit të pavarur Robert Bitri, i cili votoi pro ligjit me kartën e deputetit të LSI, Vangjel Tavo.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se karta e Bitrit është zëvendësuar nga dy deputetë të LSI, në kohën kur ai nuk ka qenë në karrigen e tij. Bazuar në këtë video, PS e cilëson si taktikë nga opozita për ta shpallur të pavlefshëm, ndërsa në fund e cilësuan si të vlefshëm procesin. Pra Bitri ishte pre e një kurthi nga deputetët e tjerë të LSI. Karta nuk dallon, pasi është me çip dhe Bitri ka votuar, ndërsa në zbardhje te procesverbalit është zbuluar.

Diskutimi në Kuvend për ligjin e Teatrit Kombëtar
Gramoz Ruçi: Sot jam njohur me kërkesë, kam autorizuar që të mblidhet sekretariati për procedurat e votimit dhe të investigojë dhe mbi bazën e mendimit të tyre do të kem një qëndrim.

Petrit Vasili: Në përputhje me rregulloren kërkesa jonë për shkak të kësaj seance, është depozituar dy ditë përpara. Ka qenë koha e nevojshme për të bërë investigimin e duhur. Është standard shumë i ulët, që vota u tjetërsua në Kuvend. Është e papranueshme që në këtë situatë ne të vijojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Për këto arsye ne nuk vazhdojmë dot së bashku deri kur të sqarohet situata dhe votimi të ribëhet.

Edmond Spaho: Edhe unë mbështes qëndrimin e kolegut Vasili. Votimi i së enjtes me një akt të paprecedent, procesi i votimit kishte defekte, rezultati i votimit u manipulua. Kuvendi duhet të kishte verifikuar pretendimet e opozitës. Në këto kushte nuk do të marrim pjesë në seancë, pasi gjendje të tilla po bëhen të zakonshme.

Gramoz Ruçi: Unë kërkesën sot e kam marrë, e keni depozituar, të shtunë dhe të diel nuk ka funksionuar administrata. I kam dhënë porosi administratës të shqyrtojë cështjen dhe të pastaj do të marr vendimin.

Taulant Balla: Dua të sqaroj opinionin se nga ana e grupit të PS nuk ka pasur asnjë deputet që të ketë votuar në emër të një deputeti tjetër. Deputetit Bitri në vendin që voton i është vënë kartë e një deputeti tjetër. Le ta hetojë dhe ti shkojnë deri në fund. Por LSI dhe PD të thonë arsyen e vërtetë të bojkotit, pasi në mos 75, 74 vota, nëse e drejta Bitrit do i hiqet. I bëj thirrje LSI, pasi PD është kundra, pasi sot duhet të votojmë ligjin për shkollën e magjistraturës. Kjo është arsyeja e bojkotit.

PD dhe LSI kërkesë Ruçit: Anulo ligjin për teatrin. U manipuluan votat

Një ditë pas votimit, Opozita i është drejtuar me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë përmes të cilës i kërkon  anulimin e votimit të  ligjit për Teatrit Kombëtar. Dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi të shpallë votimin të pavlefshëm, pasi sipas tyre në votimin e së enjtes kanë shënuar deputetë që nuk kanë qenë prezent.

“Votimi për Teatrin është antikushtetues dhe nul. Vjedhje votash edhe në Kuvend, siç po vidhet prona e teatrit”- thotë opozita në kërkesën  e saj.

Sipas opozitës në votimin e bërë për projektligjin e Teatrit Kombëtar, ka pasur vjedhje votash.

“Pranimi i votimit nul është fundi i parlamentit”, shprehet opozita. Spaho dhe Vasili shprehen se votimi në seancë është manipuluar dhe votat “janë vjedhur në mënyrë banditeske”.

Dy krerët e grupeve opozitare argumentojnë se në listën e deputetëve figuron si votues pro ligjit dhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo. Ndërkohë që Tavo nuk ka qenë i pranishëm në seancë, pasi ndodhej jashtë Shqipërisë.

“Ky akt përbën falsifikim të procesit të votimit, si dhe mund të krijojë bindjen se në listë mund të jenë si votues edhe deputetë të tjerë të cilët nuk kanë qenë të pranishëm”,- thuhet kërkesën e Edmond Spahos dhe Petrit Vasilit.

Deputeti i LSI, Vangjel Tavo ka deklaruar se vota e tij është hedhur nga dikush tjetër në seancë. Ai konfirmoi se mungonte në seancë për arsye shëndetësore dhe nuk ka qenë i pranishëm. Ligji për Teatrin Kombëtar u votua vetëm nga Partia Socialiste me 75 vota pro. Opozita kundërshtoi ashpër këtë projektligj që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe nuk mori pjesë në votim. Por sipas procesverbalit të Kuvendit rezulton se në seanca ka “votuar” të paktën një deputet i që s’ka qenë i pranishëm, gjë që në pikëpyetje gjithë votimin.