Jorge Mendes paraqet ofertën e Juventusit për Ronaldon

Juventusi ka bërë zyrtarisht një ofertë për yllin portugez të Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo. Sipas asaj që raporhet në Spanjë agjenti i sulmuesit 33 vjeçar, Jorge Mendes ka njoftuar zyrtarisht Real Madridin për ofertën e Juventusit për klientin e tij.

“Ka një marrëveshje zotërinjsh se CR7 do të lejohet të largohet për 100 milion euro, për aq kohë sa nuk është për një rivale direkte“.-mësohet të jetë shprehur Mendes.

Bardhezinjtë janë gati të përfitojnë nga kjo, pasi tashmë kanë rënë dakord për një kontratë me superstarin portugez.

E gjitha që mbetet për t’u parë është nëse presidenti i “Galaktikëve” Florentino Perez do të respektojë marrëveshjen, e cila nuk është ligjërisht e detyrueshme.

Sipas “El Chiringuito”, Mendes ka paraqitur zyrtarisht ofertën e Juventusit për Perez, i cili tani duhet ta pranojë ose ta hedh poshtë.

Nëse pranohet, Ronaldo mund të fluturojë drejt Torinos për të përfunduar lëvizjen e tij tek Zonja e Vjetër.

Ndërkohë, “Cadena Cope” raporton se Ronaldo ka folur tashmë me trajnerin e Juventusit, Massimiliano Allegri, me bardhezinjtë që po shpresojnë që marrëveshja të mbyllet javën e ardhshme.