I zuri muri poshtë në ish-uzinën e Laçit, ndërron jetë edhe i plagosuri i dytë

Rëndohet edhe më tej tragjedia që shkaktoi shembja e një muri në ish-uzinën e superfosfatit në Laç.

Ka ndërruar jetë në spital edhe i plagosuri tjetër Dashamir Hajha, 22-vjeç.

Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët e Spitalit të Traumës, i riu nuk ka mundur dot të mbijetojë si pasojë e plagëve të rënda që kishte në trup.

Një ditë më parë mbeti i vdekur edhe 27-vjeçari Drilon Lamaj.

Të dy këta shtetas ishin duke mbledhur skrap pranë ish-uzinës. Në një moment, u rrëzua një prej mureve të vjetër dhe i zuri poshtë.

Ata u transportuan në spital me shpejtësi por Drilon Lamaj humbi jetën pas disa minutash.

Ndërkohë, shoku i tij Dashamir Hajha pas 24 orësh në gjendje kritike, nuk ka mundur dot t’ja dalë.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.