PD, Vokshi: Rama do pastrojë paratë e drogës me ndërtimet te Teatri

Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama për pastrim të parave të krimit me ndërtimet që janë projektuar të ngrihen në zonën ku sot është Teatri Kombëtar.

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi në një deklaratë për mediat, u shpreh se në tokën që me ligjin e miratuar të enjten nga PS grabit tokën e Teatrit Kombëtar, kryeministri Edi Rama do të ngrejë 6 kulla biznesi. Sipas PD, këto kulla do të ndërtohen me paratë e drogës dhe gjithë projekti i qeverisë është një skemë për pastrimin e parave.

“Edi Rama përdor Fusha shpk si kompani guackë për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit tek 6 kullat, 3 prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në territorin e Teatrit Kombëtar.  Votimi antikushtetues i Parlamentit për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të grabitur tokën publike është një akt mafioz, nëpërmjet të cilit Edi Rama dhe kompania Fusha do të ndërtojnë 6 kulla në Qendrën Historike të Tiranës, 3 prej të cilave në territorin e Teatrit”,– tha Albana Vokshi.

Në deklaratën e PD, për herë të parë sulmohet hapur dhe kompania që ka marrë përsipër kontratën e zbatimit të projektit në tokën ku ndodhet Teatri. Në projektin e qeverisë, thuhet se kompania “Fusha” është vetë ofruar për të ndërtuar kullat dhe mes tyre një teatër të ri, duke shembur atë ekzistues. Ndërkohë PD publikoi sot një listë të gjithë tenderave që ka marrë kjo kompani. PD thotë se kjo kompani ka marrë gjithë tenderat pa garë të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Po sipas PD, kompania “Fusha” është dhe ndërtuesja e vilës së Edi Ramës në Surrel.

“Janë rreth 5 milionë euro që Fusha shpenzoi në favor të Edi Ramës tek kryeministria pa asnjë faturë, me para që askush nuk ia di burimin, ndërkohë që bizneseve të tjera u tregohet burgu dhe gjoba për mungesën e faturave. Edi Rama nuk u tha kurrë shqiptarëve çfarë pazari bëri më Fusha shpk, kur ndërtoi shtëpinë superluksoze në Surrel, të deklaruar prej tij vetë se ka kushtuar 400 mijë euro. Në më pak se 4 vjet, kompania Fusha ka marrë 127 tendera publikë nga Edi Rama, me një vlerë rreth 80 milionë euro. Pra 35 prej tyre, me vlerë 25 milionë euro, Fusha shpk i ka marrë vetëm brenda dy viteve nga Erion Veliaj, sekseri i Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës”,- deklaroi deputetja e PD.

Duke e cilësuar projektin e qeverisë si një pazar kriminal, PD shprehet se kryeministri nuk ka llogaritur popullin dhe reagimin qytetar. “Por Edi Rama ka harruar të llogarisë popullin! Partia Demokratike, opozita, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!”,– tha Vokshi.

Deputetja e PD-së paralajmëroi se shumë shpejt do të dalin fakte që lidhin qeverinë dhe drejtuesit e kompanisë “Fusha” me afera kriminale të trafikut të drogës.

Në foto: Denoncimi i PD për lidhjet e Edi Ramës me kompaninë “Fusha”

Deklarata e plotë e deputetes së PD, Albana Vokshi:

Edi Rama përdor Fusha shpk si kompani guackë për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit tek 6 kullat, 3 prej të cilave janë parashikuar të ndërtohen në territorin e Teatrit Kombëtar.

Votimi antikushtetues i Parlamentit për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për të grabitur tokën publike është një akt mafioz, nëpërmjet të cilit Edi Rama dhe kompania Fusha do të ndërtojnë 6 kulla në Qendrën Historike të Tiranës, 3 prej të cilave në territorin e Teatrit.

Pastrimi i Parave të Pista të drogës dhe korrupsionit është arsyeja e vetme për nxitimin e Edi Ramës për të miratuar brenda 5 ditësh me procedurë të përshpejtuar, në shkelje të Rregullores, të 4 ligjeve në fuqi dhe të Kushtetuës një ligj të personalizuar me emrin e kompanisë Fusha.

Duke përdorur Fusha shpk si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit, fitimi minimal për Edi Ramën nga ky akt mafioz, i paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptar, është jo më pak se 205 mln euro.

Pazaret e pista të  Ramës me Fusha shpk nuk filluan sot dhe me këtë projektligj.  Historiku i tyre është i pasur, por asnjëherë i hetuar nga organet e drejtësisë së kapur.

Ishte kompania Fusha shpk që Edi Rama ngarkoi për të kryer në të zezë punimet për të shndërruar godinën e kryeministrisë në një mjedis luksi.

Janë rreth 5 milionë euro që Fusha shpenzoi në favor të Edi Ramës tek kryeministria pa asnjë faturë, me para që askush nuk ia di burimin, ndërkohë që bizneseve të tjera u tregohet burgu dhe gjoba për mungesën e faturave.

Edi Rama nuk u tha kurrë shqiptarëve çfarë pazari bëri më Fusha shpk, kur ndërtoi shtëpinë superluksoze në Surrel, të deklaruar prej tij vetë se ka kushtuar 400 mijë euro.

Çdo punim për të cilin Edi Rama nuk ka paguar faturë, e kemi paguar ne të gjithë disa herë më shtrenjtë me favoret që i janë bërë më pas kompanisë Fusha shpk.

Në më pak se 4 vjet, kompania Fusha ka marrë 127 tendera publikë nga Edi Rama, me një vlerë rreth 80 milionë euro.

35 prej tyre, me vlerë 25 milionë euro, Fusha shpk I ka marrë vetëm brenda dy viteve nga Erion Veliaj, sekseri i Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës.

Një pjesë e madhe e këtyre tenderave i janë dhënë kompanisë Fusha pa garë.

Nëse do të ishte zbatuar ligji dhe do të kishte fituar kompania me ofertën më të ulët, buxhetit të shtetit do t’i ishin kursyer mbi 6 mln euro. Mjaftueshëm për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar.

Pa garë kompanisë Fusha shpk, i është dhënë ndërtimi i Sheshit Skënderbej, parkingu nëntokësor tek sheshi, që përmbyti veten, Bibliotekën dhe Bashkinë e Tiranës.

Pa garë kompanisë Fusha i është dhënë Bulevardi i Vlorës dhe rikosntruksioni i Ministrisë së Brendshme,  e krisur pas tërmetit 5.2 ballësh, të cilit Teatri Kombëtar i mbijetoi.

Edi Rama i dha pak muaj më parë me konçesion kompanisë Fusha ndërtimin me 125 milionë euro të hidrocentralit të Kalivaçit, duke rikonfirmuar lidhjen e ngushtë me kompaninë guackë ku do të pastrojë paratë me ligjin posaçëm të Teatrit Kombëtar.

Skema mafioze e pastrimit të parave të pista të drogës dhe korrupsionit nëpërmjet shembjes së Teatrit Kombëtar dhe grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike është e qartë:

Edi Rama nxjerr jashtë loje Gjykatën Kushtetuese

Edi Rama përdor kompaninë Fusha shpk për të bërë ofertën e pakërkuar

Edi Rama miraton ligjin me procedurë të përshpejtuar.

Por Edi Rama ka harruar të llogarisë popullin!

Partia Demokratike, opozita, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!

Transparenca e përditshme për këtë akt mafioz që i siguron Edi Ramës pastrimin e pasurisë së tij të paligjshme nga droga dhe korrupsioni do të ndihmojë shqiptarët të marrin vendimin e tyre.

Në ditët në vijim, Partia Demokratike do të publikojë fakte të tjera të rënda të kësaj afere korruptive dhe kriminale, që lidh Edi Ramën, Erion Veliajn dhe kompaninë Fusha më botën e krimit dhe drogës.