U arratis nga burgu i Drenovës, ekstradohet i dënuari me 20 vite burg

Ekstradohen nga Interpol Tirana, 2 shtetas të dënuar me 20 dhe 7 vite burgim në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lirisë së personit, si dhe në fushën e narkotikëve.

Nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana, u krye ekstradimi nga Athina drejt vendit tonë i Eduart Lulo, 33-vjeç, banues në Përmet. Lulo është shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit penal nr. 479 datë 28.11.2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale ” Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit” ” Armëmbajtje pa leje” parashikuar nga nenet 323/2 dhe 278/4 të Kodit Penal.

Vendim ky i marrë pasi, më datë 23.11.2013, në bashkëpunim me disa të burgosur të tjerë, është arratisur nga burgu i Drenovës ku po vuante dënimin prej 20 vitesh, për veprat penale ” Vjedhje me pasojë vdekjen” ” Plagosje e lehtë me dashje” dhe ” Armëmbajtje pa leje” parashikuar nga nenet 141-25, 89 dhe 278/4 – 25 të Kodit Penal.

Gjithashtu është ekstraduar edhe Franci Halili, 41-vjeç, lindur në Sarandë. Halili është shpallur në kërkim, bazuar në vendimin penal të datës 15.09.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila e ka dënuar me 7 vite burg për veprën penale” Prodhim dhe shitje narkotikësh” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. 41-vjeçari në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në qytetin e Sarandës shisnin lëndë narkotike Heroinë, personave të ndryshëm. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë arrestimi i tij duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.