Media greke: Rama është gati për marrëveshjen, por Tsipras është i zënë me Maqedoninë

Një nga gazetat më të mëdha në Athinën, “Ekathimerini” raporton sot se pala shqiptare është gati për nënshkrimin e marrëveshjes me Greqinë, por qeveria e Aleksis Tipras për momentin nuk ka kohë, pasi është duke zgjidhur problemin me Maqedoninë.

Në artikullin e saj në versionin online, “Ekathimerini” citon burime nga qeveria greke që thonë çështja e negociatave mes dy vendeve mund të shtyhet. Arsyeja ka të bëjë më impenjimin e palës greke në arritjen e marrëveshjes me Maqedoninë për emrin.

“Pasojat e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë kanë bërë që qeveria të shtyjë përpjekjet për të zgjidhur dallimet dypalëshe me Shqipërinë. Zyra e Kryeministrit (grek) njofton se pret për ratifikimin e marrëveshjes së emrit në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) dhe Greqinë përpara se të merret me çështjet shqiptare”,- raporton  “Ekathimerini”.

Në këtë mënyrë pritet të ketë një shtyrje të takimit mes Edi Ramës dhe Aleksis Tsipras, e cili ishte planifikuar të mbahej dy muajt e fundit dhe do të finalizonte nënshkrimin e marrëveshjes së re.

Por veç shtyrjes së afatit për zonat ekonomike dhe hapësirën detare, duket se pala greke është e kënaqur me pjesën tjetër të negociatave. Media greke shkruan e Athina ka bërë përparim në mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri. “Përveç heqjes së ligjit të luftës që ka mbetur në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore, Greqia gjithashtu dëshiron të sigurojë të drejtat e grekëve etnikë në Shqipëri. Sipas deklaratave të mëparshme të Ministrisë së Jashtme greke, është bërë përparim në çështjen e pakicës greke”, raporton Ekathimerini.

Lidhur me ndarjen e zonave ekonomike që ndodhen në detin Jon, gazeta shkruan: “Sidoqoftë, negociatat midis Athinës dhe Tiranës do të vazhdojnë, në veçanti, midis komisioneve që merren me përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike (ZEE) të të dy vendeve. Përpjekja për të kufizuar zonat ekonomike të dy vendeve është penguar në të kaluarën për shkak të mosmarrëveshjeve politike brenda Shqipërisë. Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka shfaqur hezitimin për të ratifikuar një marrëveshje të zonave ekskluzive ekonomike ndërsa Kryeministri Edi Rama është shumë më i gatshëm”, raporton “Ekathimerini”.