Macron: Të ndalojmë konfliktin në Gjirin Persik

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, u takua të premten me Presidentin Emmanuel Macron gjatë vizitës që po zhvillon në Francë, ku pas takimit dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalën e tij, Emiri i Katarit siguroi se marrëdhëniet mes Dohas dhe Parisit janë “shumë të forta… ndihem krenar për thellësinë e këtyre marrëdhënieve”. Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani vuri në dukje se “ende nuk ka detaje të reja rreth (zgjidhjes së) krizës së Gjirit”, duke theksuar se vendi i tij bën përpjekje intensive për arritjen e paqes totale në rajon.

Nga ana e tij, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se i ndjek me vëmendje zhvillimet mes palëve në konflikt të krizës së Gjirit dhe se Parisi bën përpjekje “për parandalimin e përshkallëzimit të kësaj krize”.

Në këtë kontekst, Macron konfirmoi mbështetjen e vendit të tij ndaj ndërmjetësimit të Kuvajtit në krizën e Gjirit, duke theksuar se kriza “duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut” dhe se “Franca do të vazhdojë komunikimin me të gjitha palët në krizë”, ndërsa tha se qytetarët e Katarit po vuajnë çdo ditë për shkak të bllokadës së imponuar nga vendet fqinje.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se “Doha është një partner dhe faktor i rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme dhe Afrikë,” dhe se Katari është “pionier në masat e marra në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit,” duke shtuar se ai bisedoi me Emirin e Katarit rreth procesit të luftës kundër financimit të terrorizmit dhe hapat konkrete të marra në këtë drejtim.

Macron i konsideroi strategjike marrëdhëniet mes Dohas dhe Parisit. “Të dy vendet kanë vizion dhe qëllime të përbashkëta që kanë konsoliduar më tej bashkëpunimin dypalësh” tha ai, duke shtuar se “kjo marrëdhënie strategjike është përkthyer së fundmi në një marrëveshje konkrete për avionë luftarakë “Rafale”.

Emirin i Katarit e nisi të enjten vizitën e tij zyrtare në Francë në bazën ajrore “Mont-de-Marsan” (në jug në të vendit dhe që konsiderohet laboratori i industrive ushtarake francize) ku po trajnohen 100 pilotë dhe inxhinierë katarianë. Gjatë vizitës në këtë bazë, Emiri i Katarit u informua rreth avionëve luftarakë “Rafale”, pasi Doha planifikon të blejë 36 të tillë.