Gogoli…   

Fejton nga Thoma Goga

Sebep për këtë fejton u bë Gogoli. E kam fjalën për shkrimtarin e madh rus Nikolaj Gogol. Për ata që trembin kalamaqtë është tjetër gogol; është “gogoli” i ëndrrave dhe përrallave ireale. Po ka dhe ca “gogola” të tjerë… Nejse. Ndiqni hap pas hapi këtë mesele sa reale, aq dhe irreale e pastaj do ta kuptoni vetë ku e përplas llafin.

… Vite e vite të shkuara jepja letërsi në një gjimnaz në periferi të qytetit. Një ditë ishte në program që të flisnim për letërsinë ruse. Nxënësja e parë, që e mori fjalën, ishte Natasha. Apo nuk e kishte dhe emrin si personazhet ruse që edhe vajzat sovjetike e preferonin shumë. Bukuroshja do të fliste për Gorkin dhe romanin e tij kryesor “Nëna”. Ajo afërsisht, tha kështu:

– Gori është shkrimtar i njohur sovjetik, revolucionar dhe komunist…-Pastaj u kthye nga unë. – Aman, o mësues, ku ma gjete mua të flas për këtë. Unë e kam dhe babanë me PD-në…

– Kjo s’ka asnjë lidhje me temën, po ti fol për Gorkin dhe jo për “Gorin”.

– Ok,- vazhdoi Natasha.- Romani kryesor i tij është “IJA”

– “Nëna”,- korrigjova unë.

– Ani, s’prish punë. Kështu i thërras nanës teme…

Pasi u ul Natasha, ngrita Salushen bjonde, që edhe kjo ngjante me Sashenkën ruse…

– Ti na trego për Gogolin.

– Mësues, – ma ktheu e zemëruar vajza,- mendohu mirë kur të flasësh me mu. A e din ça të baj?! Hajt se po ta tregon vëllau jem atë “gogolin”…-

Dhe u ul duke qarë. Një pjesë e klasës ia plasi gazit.

Si mbarova 6 orë të lodhshme mësimi, në oborr të shkollës po numëroja monedhat e holla për shoferin që do më merrte deri në qytet. Po ç’e do. Te porta më priti “furtuna” e radhës. Nga një fuoristradë me xhama të zinj doli një zdap me mjekër të zezë. E kisha parë dhe herë tjetër atë tip që vërtitej rrotull shkollës.

– A ti je ai mësuesi i “Gogolit”, a? Me motrën teme gjete m’u tall?!

– Më vjen keq…

– Mos ma baj mu mëk, mëk, mëk!

Me shpejtësi nxora nga çanta librin e letërsisë. E hapa në faqen e Gogolit.

– Ja ku është, – tregova tekstin dhe foton e Gogolit të vërtetë.

Atë çast dhe ai heshti. E kuptoi apo bëri sikur e kuptoi, nuk e di.

– Qenke burrë i ndershëm, alla hile, – më tha. – Hip në “Tuarekin” tem. Të çoj vet’ në qytet.

– Jo, s’është nevoja , – i thashë,- vjen ndonjë makinë…

– Mos ma baj mu mëk, mëk, mëk, se ala s’më ka zdryp inati…Tani u bëmë miq bashkë. A kupton, or ti?

O ç’më gjeti, thashë me vete. Desha, s’desha hipa. Rruga ishte e shkurtër, ndaj nuk hapa asnjë bisedë. Makinën e ndaloi tek një lokal luksoz në hyrje të qytetit. Nxora ato monedhat e shkoqura, që i taksa për rrugën dhe i lashë mbi kroskot.

– Hiqi mor ato, se më bane pis “Tuarekin”, – ulëriu mjekroshi.- Zdryp se do pimë ndonjë send k’tu.

– Jo, s’është nevoja.

– Mos ma baj mu mëk, mëk, mëk po zdryp.

Pa u ulur mirë në verandën e lokalit, erdhi kamerierja.

– Përshëndetje shefi, -iu lajkatos mjekroshit. –Ka ca ditë që s’të kena pa.

– Ti moj, shalëtharë, na sill këtu xhin, xhon, xhan…

Shqeva sytë nga mënyra e komunikimit, po edhe nga pijet “e rënda” që porositi. Megjithatë më erdhi mirë, që gjithë ajo “furtunë” u tret në një gotë me pije të padëgjuar ndonjëherë…

– Tani që u “bëmë miq”, të njihemi më mirë, – hapa bisedën.- Çfarë profesioni keni?

– Kurvaxhi, – u përgjigj.

– Karvanxhi?!- bëra sikur nuk e kuptova. Në çast më shkoi mendja tek karvanxhiu Tunxh që shoqëronte Dhaskalin me tërë ato shkronja që të mësonte njërëzia. I shkreti Dhaskal, sa shumë u mundua!…

– Jo, mor jo, – më solli në vete zëri i zdapit. – Kam hap një biznes origjinal; “Ballukeri” për VIP-a. Mbledh nga këto “shalëtharat” që hiqen si parukiere e bëjnë dhe ca punë të tjera…,- nisi të “zbarthehej” ai.- Po tash du me i hy politikës. Do kandidoj për deputet. Pse, a mos janë ma të mirë ata që merren me politikë, a? Po shokët e mi janë, bre.

Nejse. Ai foli edhe për ca gomarllëqe të tjera, ndërsa unë mbarova atë pijen “xhin, xhon, xhan…” dhe iu luta të largohesha se do merrja ilaçet e muajit.

– Po mor, si të dush. Dhe shikjo; po të kesh ndonjë nevojë për pare, më thuj. Po të duash të rrah ndonjë, në mes të natës më ke gati…

I dhashë dorën dhe ika. Rrugës ku nuk më shkonte mendja. Nga Gogoli i famshëm rus, te “gogolaxhinjtë e kurvaxhinjtë”, që i kanë hyrë edhe politikës, siç do bënte dhe ai “gogoleshi”…

Eh, Nikolaj Gogol të ishe gjallë! Ta shikoje vetë sa është shtuar “ushtria e gogolave”…