Ndahet nga jeta profesori Alfred Frashëri

Ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare profesor Alfred Frashëri, inxhinier gjeofizikan, profesor. Lindi në Korçë. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe punoi në Ndërmarrjen e Shpim-kërkimit në Patos si drejtues i studimit gjeofizik të puseve (1953–1956).

Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të UT (1961). U emërua pedagog në këtë fakultet ku punoi për 46 vjet si lektor i lëndëve të specialitetit gjeofizik “Studimi gjeofizik i puseve” (1961-1968), “Elektrometria” (1968-1998), “Përdorimi i metodave gjeologjike për zgjidhjen e detyrave gjeologjike” (1972-1998), “Metodat gjeofizike të kërkimit” (1991-1998), “Fizika e Tokës” (1995-2008), “Gjeofizika në miniera” (1998-2008). Vetëm dhe me bashkautorë botoi 11 tekste mësimore. Mbajti leksione të hapura në disa universitete evropiane, në SHBA dhe në Kanada. Udhëhoqi mjaft disertacione. Profesor Frashëri eksperimentoi e zbatoi në Shqipëri metodat e reja gjeofizike dhe rritjen e thellësisë së kërkimeve gjeofizike të vendburimeve të mineraleve të ngurta.

Ai mbetet ndër nismëtarët e kërkimeve gjeofizike të naftës e të gazit në shelfin shqiptar të detit Adriatik, të studimit të burimeve të energjisë gjeotermale. Në këto fusha ka kryer studime, ka hartuar dhe ka realizuar projekte kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar një varg artikujsh në revista shkencore. Alfred Frashëri është bashkautor në botimet: “Atlasi gjeotermal i Europës” (1992), “Atlasi i burimeve gjeotermale në Europë” (1997), “Atlasi i burimeve gjeotermale në Shqipëri” (2004), “Atlasi gjeotermal i Shqipërisë dhe platformë e shfrytëzimit të nxehtësisë së tokës” (2013), “Matematizimi dhe informatizimi i problemeve të gjeofizikës ndër vite në Shqipëri” (bashkautor, 2016), “Hapësira bregdetare Divjakë-Karavasta në Adriatik” (bashkautor, 2017), “Karsti dhe studimi i tij me metodat gjeofizike” (1985), si dhe autor i teksteve “Gjeofizika kantierale” (1963), “Metodat gjeofizike të kërkimit – Elektrometria” (1970, 1984, bashkautor), “Përdorimi i metodave gjeofizike për zgjidhjen e detyrave gjeologjike” (1971, bashkautor), “Elektrometria” (1984, bashkautor) etj.

Profesor Frashëri mbetet një ndër veprimtarët shoqërorë. Për një periudhë të gjatë dha një kontribut të çmuar për Frashërin si edhe për probleme ekonomike të Përmetit, me kumtesat, librat publicistikë, artikujt problemorë në shtypin e përditshëm dhe projekte. Mori pjesë aktive në kuvendet e Frashërit, ditën e Naimit dhe ka botuar librin “Frashëri në historinë e Shqipërisë” (2007, 2014).

Me vdekjen e tij bota akademike humbi një shkencëtar me veprimtari të gjatë dhe cilësore, një prej pedagogëve që kanë lënë gjurmë progresi në institucionet ku kanë punuar, një koleg e mik të nderuar; një njeri të suksesit shkencor; familja dhe të afërmit njeriun e dashur.