Biznesi shqiptar dhe interneti, shitjet online të pashfrytëzuara – Dobët tregtia, hotelet dhe restorantet

Ndërmarrjet shqiptare janë ende të ngadalta në adoptimin e teknologjive të informacionit në shërbim të biznesit të tyre. Pavarësisht rritjes së aksesit në internet vit pas viti dhe shtimit të ndërmarrjeve që përdorin kompjuter, shfrytëzimi i marketingut dhe shitjeve online është ende në nivele shumë të ulëta.

Në vitin 2017, vetëm 47,3% e ndërmarrjeve që përdorin kompjuter kanë pasur faqe interneti. Ky tregues është madje në rënie, pasi një vit më parë arrinte në 51,6% të bizneseve.

Ndër ndërmarrjet që kanë një faqe interneti, në 71,3% të rasteve ato shfaqin katalogët e produkteve ose çmimet e tyre. Por pavarësisht kësaj, vetëm 7,7% e ndërmarrjeve raportojnë se kanë arritur të shesin produktet apo shërbimet e tyre përmes faqes së internetit apo aplikacioneve të dedikuara.

Për krahasim, në Bashkimin Europian mesatarja e bizneseve që shesin online janë 17% dhe vlera e shitjeve përbën 18% të xhiros vjetore.

Shitjet online në Shqipëri janë përqafuar më së shumti nga sektori i informacioni dhe komunikimit, ku 31,8% e ndërmarrjeve raportojnë të ofrojnë produktet dhe shërbimet në internet. Një raport të lartë në shitjet online raportojnë edhe ndërmarrjet e transportit dhe magazinimit me 25,2%.

Burimi: INSTAT

Interneti është shfrytëzuar ndërkohë shumë pak nga sektori i akomodimit dhe shërbimit të ushqimit, ku vetëm 12.6% raportojnë të përdorin faqe interneti apo aplikacione të veçanta për të shitur shërbimet e tyre. Në vende të tjera të botës, hotelet dhe restorantet arrijnë te një pjesë e konsiderueshme e klientelës pikërisht përmes platformave si Booking, Airbnb, Tripadvisor, apo aplikacioneve të celularit kushtuar ushqimit.

Një tjetër sektor që nuk po shfrytëzon mjetin e shitjeve online është edhe ai i tregtisë me shumë dhe pakicë, ku vetëm 7% e ndërmarrjeve janë shprehur se kanë kryer shitje. Megjithatë në rastin e vendit tonë, kjo përqindje e ulët mund të shpjegohet me faktin se pjesa më e madhe e bizneseve që merren me këtë aktivitet janë biznese të vogla, si marketet.

/SCAN