Pas deklaratës së Lu-së, Prokuroria kërkoi arrestimin e Tahirit

Ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, më 28 maj 2018, ju hoq masa e sigurisë “arrest shtëpie”, ku u tha se do të hetohet në gjendje të lirë për dyshimet e trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit. Por duket se për të nuk ka qetësi. Lëvizja e radhës vjen nga Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda, pasi ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Prokurorët kërkojnë masën e “arrestit me burg” për ish-ministrin e kabinetit “Rama 1”, sikurse ka bërë edhe në shkallët e mëparshme, një kërkesë që e ka humbur me faktet e paraqitura përpara gjykatave.

Si për ironi, para se Prokuroria të bënte me dije rekursin, kjo deklaratë e fortë “pushtoi” mediat: “Hetimet ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llallës po vijojnë. Por ne duam rezultate konkrete. Duam që “peshqit e mëdhenj” të ndiqen penalisht dhe të dënohen”. Ishte kjo deklaratë e bërë paraditen e së enjtes nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në takimin “Forca e Ligjit”.

Organi i akuzës kundërshton vendimin e Apelit për Krimet e Rënda, e cila vendosi pak javë më parë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje” për ish-ministrin, i cili akuzohet si i implikuar në organizatën kriminale të Habilajve dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.