Marrëzia e një Teatri

Nga Frrok Çupi –
A ka marrëzi në këtë çështjen “Teatri” që po na zë frymën e gjithë shoqërisë? Prej kohësh ka nisur një ‘dramë’ diletantësh me subjekt: ‘do të prishet godina e Teatrit Kombëtar në Tiranë për të bërë një tjetër, apo nuk do ta lejojmë…’. “Do të…., apo nuk do të….”. Disa njerëz të shtirur si artdashës kanë kohë që lëvizin nëpër duar ‘petalet e luledeles’… si në një spital psikiatrik teatror.

A ka marrëzi në oborrin e Teatrit Kombëtar, në Ministrinë e Kulturës (pa kulturë), në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe në rrugën para selisë?…

Nuk do të kisha guxuar, në këtë klimë ‘marrëzie’, që të shkruaja me këtë titull, sepse këtu ‘të hanë’ të vegjlit- ata që nuk kuptojnë, më shumë se ata që kuptojnë dhe shijojnë ‘ngrënien’ e njeriut si pushtetarë. Por një autor i famshëm, njeri me ngjyrë, në Universitetin e Birmingamit, ka shkruar një libër të tërë me titullin “Madness of the Theatre” (Marrëzia e Teatrit). Femi Oyebode është profesor dhe shef i Departamentit të Psikiatrisë në Universitetin e Birmingamit.

Në Teatër, profesori ka zbuluar lidhjet psikike mes dramaturgut, aktorëve dhe publikut. “Teatri, veçanërisht, ofron ndoshta modalitetet më të mirë për psikanalistët për të reflektuar eksperiencën njerëzore, siç është edhe një formë e artit që drejtohet për të studiuar jo vetëm natyrën humane, por gjithashtu reflekton shoqërinë dhe kulturën ku individi është krijuar”, shkruan autori në libër.

Mes vetë artistëve ka neuroza të frikshme:

Ata kanë një qëllim të ‘lartë’ shumë të keq: Mbrojtjen e një godine 70 e ca vjeçare, të ndërtuar kur kryeqyteti ishte fshat. A të mbrohet a të mos mbrohet Teatri? Dilemat iu brejtën shpirtin gjatë gjithë kohës, derisa ata që nuk duruan, dolën nga radha e mbrojtjes, si Ndrenika, Basha, Derhemi…

Ka ndodhur njësoj si me kavjet e Sigmund Frojd:

Kavia e parë, një vajzë në moshën e dashurisë së parë. Ajo kujdesej natë e ditë mbi kokën e babait të sëmurë. Por ndërsa shërbente të atin, mendja i shkon te një djalë që i kishte lënë përshtypje erotike. Vajzës gati sa nuk iu zu fryma nga neuroza e mbrojtjes ndaj ‘fajit’ para babait të sëmurë. Kavia e dytë, një mësuese që ra në dashuri me drejtorin e saj. Mësuesja nisi betejën për të larguar simpatinë ndaj drejtorit, sepse nuk pajtohej me krenarinë personale…

Me artistët e Theatrit ka ndodhur thuajse e njëjta neurozë: Ta lënë godinën ku janë mësuar?, pishinën e vogël e të pistë?, kafen në breg të saj?, skutat e vjetërsirave?…, apo të mos i lënë?! Gjurmë të kujtesës që zhvendoset dhe lufta me unin…. Nesër, pasi ta lënë, do të jenë po kaq në difensivë ndaj ‘fajit’ që kryen…

Marrëzia e qëllimtë dhe ’pa dashje’ e politikës:

E vetmja pjesë e psikikës që nuk mund të analizohej nga profesori i Birmingamit, do të ishte politika e Tiranës në këtë rast. Pse? Sepse as deputetët, as kryetarët e partive, as ministrat…, nuk kanë lidhje me Teatrin. Asnjëri prej këtyre nuk shkon kurrë në Teatër. Atëherë si mund ta analizonte psikanalisti anglez lidhjen e audiencës politike me Teatrin… Sikur të bëhej një demonstratë pse ‘nuk dinë politikanët’ gjë prej gjëje nga Teatri e nga Arti, atëherë do të duhej që para Kuvendit të kthehej gijotina për politikanët. Këta derra pa kulturë e Teatër, bien në marrëzi, çajnë ekrane televizionesh dhe na vijnë para fytyrës “në mbrojtje të Teatrit”. Simptomat e histerisë së politikanëve nuk lidhen me Teatrin (që e panë për herë të parë në protestë); por lidhen me pushtetin dhe me instinktin e shkeljes së vlerave të kulturës kombëtare. Është njësoj si ‘obsesioni i Paskalit” që ishte mbytur në Senë me karrocën e tij në të djathtë, por shikonte majtas ku ‘gjente’ shpëtim në ajër. Këta janë mbytur në krim dhe kërkojnë shpëtim në Teatër.

Marrëzia e njerëzve të turmës:

Kjo është më për të ardhur keq, por edhe më për t’u neveritur. Dalin disa njerëz që as këta nuk dinë Art e Teatër dhe thonë “jemi miq të Teatrit”(në fakt janë miq o të Lulit o të Mirelës); vijnë edhe nga rrethet ku nuk ka Teatër për të mbrojtur Teatrin e kryeqytetit, lënë gjithçka për “qëllimin fluid”. Këta nuk dinë cili është dallimi mes turmës dhe dramës.

Në manifestimin ‘psikik’ të kësaj radhe rreth Teatrit, njeriu i turmës ndodhej më shumë në partinë që thërriste turmat, se sa në mes atyre në rrugë. Asnjëri prej tyre nuk guxoi të bisedojë me vete: “A kam unë prona? Pronat e mija a m’i jep politika?… Jo. As e çan kokën”. Politika nuk e çan kokën as për pronën publike, por te ‘prona publike’ që quhet edhe ‘Teatër’, mund të mbledhë ‘shumë miza’. Mund të vijë një ditë që ‘protestuesit mobile’ do t’i thërrasin mendjes: “More, ku janë pronat e mija…, fëmijët e mi…, unë ku jam?!”. Dhe do t’u kthehen bosëve që përfituan nga marrëzia e ‘popullit’. Atëherë individin do ta kenë pushtuar obsesione të rënda, saqë do t’i duket vetja vrasës i të gjallëve që kalojnë rrugës….

Teatri ka lidhje shumë të ngushta me Marrëzinë.

Veritas.com.al/