Kolegji i Apelimit nuk shqyrton ankesën e prokurorëve kundër Arta Markut

Kolegji i Apelimit vendosi të mos marrë në shqyrtim ankesën e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina. Dy prokurorët kanë kërkuar anulimet e vendimeve të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, e cila i largoi ata nga detyra.

Vendimi i KPA:

Kolegji i shqyrtimit paraprak të ankimit, me vendimin nr. 2/2018 (JD), datë 21.06.2018, bazuar në nenin 31, nenin 31/a, paragrafi 2, germa “a”, si dhe në nenin 71/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi:

Moskalimin për shqyrtim në seancë plenare të çështjes nr. 2/2018 (JD), datë 17.05.2018 me palë ankuese znj. Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina.

Objekt i këtij ankimi ishte “anulimi i vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe anulimi i vendimit nr. 141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”.

Kolegji i shqyrtimit paraprak, i caktuar me short, ishte i përbërë nga Ina Rama relatore, Rezarta Schuetz dhe Luan Daci anëtarë.