Rikonfirmimi i Arta Markut, Rama: Mungesë respekti për institucionin e Vetting-ut

Kryeprokurorja Arta Marku ka kaluar me sukses sot Vetting-un, por kjo gjë ka sjellë shumë zëra kundër në opozitë.

Zëvendëskryetari i LSI, në një postim në Facebook shkruan se vettingu është një mejhanë korrupsioni.

“Arrogancë, mungesë respekti për institucionin e vetingut, frikë prej paaftësisë për t’u ballafaquar sepse nuk di të flasë, kompleks inferioriteti, mungesë vetëdijeje për autoritetin që përfaqëson! Shkurt, monument i mediokritetit qē mbrohet nga qeveria!”, shkruan Luan Rama.

Reagimi i plotë:

Vetingu si mejhane korrupsioni!

Edhe sot, prokurorja zëvendësuese e Prokurorit të Përgjithshëm, alias Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, ndryshe prej Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, nuk e paraqit para Komisionit të Vetingut!

Nuk u paraqit edhe pse e dinte paraprakisht rezultatin!

Arrogancë, mungesë respekti për institucionin e vetingut, frikë prej paaftësisë për t’u ballafaquar sepse nuk di të flasë, kompleks inferioriteti, mungesë vetëdijeje për autoritetin që përfaqëson!

Shkurt, monument i mediokritetit qē mbrohet nga qeveria!

Natyrisht që ligji ia njeh të drejtën e përfaqësimit edhe me avokat! Por, avokati nuk mund t’a përfaqësojë e të përgjigjet në emër të Prokurorit të Përgjithshëm, për ato elementë të vlerësimit në procesin e vetingut, që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrës së lartë në krye të organit të akuzës, si për shembull, lidhur me transferimet, komandimet apo uljet ne detyrë të shumë prokurorëve apo edhe për ç’organizimin e Prokurorisë, intimidimin dhe cënimin e pavarësisë profesionale!

Pra janë çështje për të cilat duhej e mund të përgjigjej vetëm ajo, pasi avokatja e saj, nuk disponon çertifikatë sigurie për t’u njohur me informacione që për shkak të detyrës i di vetëm zonja Prokurore që kryen detyrën e Prokurores së Përgjithshme!

Ndërsa, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, apo më thjeshtë për lexuesit, Komisioni i Vetingut, edhe pse i poshtëruar dhe i pakonsideruar qoftë edhe formalisht me mosparaqitjen para tij të Prokurores së Përgjithshme, u shfaq i mjerë, si për të na thënë se vetingu është një mejhane korrupsioni që ka përfshirë edhe ndërkombëtarët e ONM-së, të paaftë të mbrojnë e garantojnë integritetin e procesit!