Një falenderim dhe një këshillë për disa prokurorë!…

Nga Luan Rama* –

Pas publikimit të qendrimit tim dje dhe sot për mosparaqitjen e Prokurores së Përgjithshme para komisionit të vetingut, ç’ka, edhe një herë e ritheksoj, ishte fyese e në papërgjegjshmëri të plotë me përmbushjen e detyrës së lartë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, poshtërues e mospërfillës për institucionet e vetingut dhe vetë reformën në drejtësi, shumë prokurorë, të njohur e të panjohur, me kanë dërguar mesazhe solidariteti e falenderimi!
Në respekt të kodit tim etik edhe unë i falenderoj.
Por, ndërkaq, dua t’jua bëj të qartë e t’ju jap edhe një këshillë miqësore, se nuk kanë përse të më falenderojnë mua, por, ato vërejtje, madje edhe kritika që kanë për Prokuroren e tyre të Përgjithshme, le t’ja adresojnë asaj e t’i bëjnë objekt debatesh e diskutimesh në strukturat e tyre!
Unë nuk kam nevojë për faktet që më sjellin ata e që lidhen me mosfuksionimin dhe degradimin e institucionit të prokurorisë.
Unë, e si unë besoj edhe qytetarët e tjerë, kemi nevojë për prokurorë të devotshëm, korrektë e të ndershëm në zbatimin e ligjit, kemi nevojë për prokurorë qytetarë, me integritet e dinjitet profesional, për njerëz kurajozë e që nuk e shesin emrin e tyre nëpër mejhanet e korrupsionit!
Sistemi i drejtësisë është përpara provës së madhe, për të fituar pikësëpari sfidën e besimit të qytetarëve! E që kjo të ndodhë, prokurorët e gjyqtarët të parët, duhet të dëshmojnë se janë shërbestarë në zbatim të ligjit e jo servilë të pushtetit!

*Zëvendëskrytar i LSI