Borgesi, ndërmjet historisë dhe amshimit: Politika e modestisë

Nga: Hernan Diaz (Përktheu, Elvis Zaimi)

Nëse Jorge Louis Borges perceptohet si një shkrimtar skajshmërisht i shkëputur nga realiteti, i zhytur në abstraksione, enigma letrare, dhe gjëegjëza filozofike të pazgjidhshme, kjo është më së shumti për shkak të vetë veprës të cilën e krijoi. Ai e kultivoi këtë mit për veten e tij jo vetëm në tekstet që shkroi (“Borges” – bibliofili i turpshëm dhe i ndrojtur – është një personazh në disa nga tregimet dhe poemat e tij), por edhe në intervistat e shumta që jepte mbarë e prapsht në fund të jetës së tij, tek luante rolin e të Urtit të Verbër dhe Solemn, të cilin kjo botë e kishte befasuar dhe shndërruar në një njeri konfuz, teksa shndërronte çdo çështje tokësore në letrare.

Për meritë të tij, në shkrimin “Borgesi dhe Unë”, ai i denoncoi në mënyrë të famshme “shtirjet e veta”, dhe sesi ato ishin kthyer në “atribute të një aktori”. Në po këtë tekst, ai e pranon se “lojërat e tij me kohën dhe pafundësinë” ishin shndërruar në klishe të akteve të tij publike, ndonëse denoncimi që ai i bënte tekave dhe shtirjeve të veta, u kthye në tekën e tij më famëkeqe. Kjo lloj ndrojtjeje e përllogaritur paraprakisht prej tij, e shndërroi Borgesin në vite në epigonin e vetvetes.

Në parathënien e “Qoftë lëvduar Errësira” (Elogio de la Sombra, 1969) ai vajton me keqardhje për “marifetet” e tij, duke iu referuar “pasqyrave, labirinteve, dhe shpatave që prêt lexuesi im në rezignatë….”! Këto lojëra me “kohën dhe pafundësinë” të shndërruara në akte publike të Borgesit – që shumëkush i kujton apo beson se janë të ndara nga realiteti – dhe që shumica e lexuesve dhe fjalorëve I identifikojnë menjëherë si “Borgesiane”, duke nënkuptuar me to mënyrat sesi realiteti mund të depërtohet nga fiksioni, sesi zgjëndra e jetës tonë mund të jetë ëndrra e jetës së tjetrit, sesi kujtesa mund të parakalojë dhe lejë pas tërësisht të tashmen, sesi aktualiteti mund të kthehet në një reprezentacion që ne e vëmë në skenë për përfitimin tonë, dhe sesi pafundësia na përgjon e fshehur dhe na zë pritë gjithandej, në nëndarjet që shpërthejnë se brendshmi segmenteve më pak domethënëse të lëndës dhe kohës.

Të gjitha këto janë tema të rëndomta borgesiane, por po aq e vërtetë është se këto shpotira abstrakte për mendjen vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e vendit që kemi në këtë botë, sepse zbulojnë haptas brishtësinë dhe pasigurinë e kategorive që rregullojnë perceptimin tonë për të.

Nga ky pikëvështrim i mbramë, mjaft çuditshëm, subjektet ezoterike borgesiane e zbulojnë veten të jenë thellësisht tokësore, sepse na mundësojnë të shqyrtojmë dhe kuptojmë se realiteti ynë është një “realitet I administruar” dhe jo “I dhënë”. Dhe kjo çështje menjëherë mund të shndërrohet në një çështje politike, sepse pushteti politik është përherë i lidhur me imponimin e detyrueshëm të një realiteti.

Obsesioni i Borgesit me ëndrrat, argumentat e tij skeptike që ai shpesh i deklamonte me zemëratë, komplotet solipsisticiste dhe rebuset e tij teologjike mundet pra në këtë mënyrë të lexohen si “nyja përbashkuese” ku letërsia, metafizika dhe një refleksion i përgjithshëm mbi pushtetin dhe institucionet që e përfaqësojnë atë, takojnë njëri-tjetrin.

Në vitin 1933, në revistën Contra, Borgesi shkruante “Është një e vërtetë e pashije dhe famëkeqe se arti i vërtetë nuk duhet t’i shërbejë politikës. Të flasësh për art social është si të flasësh për gjeometrinë vegjetariane, ose për artilerinë liberale, ose për të bërë brumë embëlsirash në njëmbëdhjetë rrokje”. Letërsia pra për Borgesin përbënte një sferë veprimtarie autonome, e cila nuk mund t’i nënshtrohej asgjëje tjetër, veç vetvetes. Ka megjithatë, mënyra sesi letërsia mund të jetë politike, pa qenë e varur prej saj, dhe vepra e Borgesit ofron shumë shembuj të tillë.