Ambasadorët duhet të ishin treguar më seriozë

Nga Zef Bushati-

Ambasadorë, nuk po ju drejtohem si një koleg i juaji, edhe pse gjatë misionit tim të Ambasadorit të Shqipërisë kam lënë gjurmë pozitive, që i shërbyen më së miri forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit, por po ju drejtohem nga pozicioni i një politikani me mjaft përvojë.

A mundet të na shpjegoni përpara se të largoheni nga Shqipëria se ku qëndron ndryshimi midis Vettingut dhe Inspektoratit të Larte të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave?

A e dini ju, apo ekspertët tuaj, se cili është misioni i Inspektoratit të Larte të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave?

A ishit të qartë ju rreth platformës dhe misionit të Vettingut ? Dhe e fundit që mos t’ju ngarkoj shumë në këto ditë te nxehta, a e dini se me variantin tuaj të Vettingut e çorientuat dhe e zhgënjyet këtë popull, i cili, çdo ditë kur dëgjon konkluzionet e ekspertëve të Vettingut thotë: Çfarë prisnim e çfarë na doli ?!

Zoti LU ky popull priste “peshqit e mëdhenj” që premtove se do kapeshin nga Vettingu. Ju deklaruat shumë data dhe asnjëra nuk ju doli, tek asnjë nga “datat” tuaja nuk u arrestua ndonjë “peshk i madh”. Tani po largoheni pa kapur asnjë peshk zoti Lu. A e dini pse? Se Vettingu që ju propaganduat nuk është ky që krijuat…. Ju zonja Vllahutin, si më “e përmbajtura” ambasadore me maxhorancën Qeverisëse, me një staf të gjerë e për t’u admiruar nga numri punonjësve në ambasadën e BE, nuk arritët asnjëherë te bënit dallimin midis Vettingut dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Zhgënjim. Totalisht çoroditje. Të gjithë kujtuam se nëpërmjet Vettingut do të merret në një analizë të thellë e të hollësishme e gjithë puna e Prokurorëve dhe Gjykatësve, kujtuam se do merreshin në shqyrtim çështjet që ata kanë gjykuar, shkeljet që ata kanë bërë në vendimet e tyre në kundërshtim me ligjin dhe në favor të zyrtarëve të larte të korruptuar. Shkeljet ligjore në vendimet e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në favor të çdo zyrtari të korruptuar pavarësisht nga niveli.

Vendimet e Prokurorëve dhe gjyqtarëve në favor të korrupsionit në të gjitha fushat, deri tek pronësitë, tek vendet e punës, etj. Vettingu pritej të bente publike se sa miliona lekë kanë përfituar Prokurorët e Gjyqtarët nga vendimet e marra në favor të kriminelëve, kontrabandistëve të droges e mishit të bardhë, hajdutëve, matrapazëve dhe sekserëve. Vendimet e kundra ligjshme të Prokurorëve dhe Gjykatësve në proceset e lidhjes së kontratave shtetërore si ajo e ÇEZ e ARMO apo kontratat e shitjes së armëve, dhënies së liçensave, lejeve të ndertimit, etj,etj. Qytetarët shqiptarë po prisnin ” tërmetin e madh” nga Reforma në Drejtësi dhe Vettingu, por siç thote populli:  “u mbars mali dhe polli një mi”.

Vettingu, pa e ditur askush nga qytetarët, i kishte marrë kompetencat Ispektoratit të Larte të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe filloi nga puna duke gjykuar se ku i kanë gjetur paratë Prokurorët dhe Gjyqtarët për të blerë një shtëpi apo një dyqan. Dhe nëse “ata” nuk i justifikojnë blerjet dhe paratë i largojnë nga detyra. KAQ. A nuk ju duket qesharake Ambasadori LU & Ambasadorja Vllahutin? A nuk ju duket komike që Prokurorë e Gjyqtarë largohen “vullnetarisht” nga detyra për të mos iu nënshtruar edhe këtij varianti të Vetingut? A nuk dyshoni që këta Prokurorë e Gjyqtarë kanë bërë namin me vendime të kundra ligjshme, kanë përfituar miliona për shkak të detyrës dhe tani largohen për t’i gëzuar paratë e fituara në rrugë të pisët në ndonjë shtet tjetër? A nuk ju bën përshtypje mëkati që keni bërë duke mashtruar një popull të tërë qe besoi verbërisht te ju?

Ambasadori LU & Ambasadorja Vlahutin e çoroditët këtë popull, e zhgënjyet këtë popull dhe përpara se të largoheni nga Shqipëria ju sygjeroj të shkoni në kishë, rrëfehuni për mëkatet e juaja, kërkojini falje Zotit për atë që bëtë ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë mandatit tuaj. Ndoshta Zoti do ju falë, por në memorjen e qytetarëve shqiptarë do të mbeteni si mëkatarë, si dy diplomatë qe e çoroditët këtë popull me propagandën tuaj, që i zhgënjyet dhe qe nuk arritët të bëni asgjë.