Pushime në Shqipëri

Nga Agim Xhafka –

Në orën 9 drejt e te plazhi. Sa zbrita nga makina një çun i pazgjuar ende nga gjumi flet si në qyp:

-Pesë mijë lekë.

-T’i jap te shezlongu.

-Këto janë për parkimin. Te çadra do vijë një çun tjetër.

Për fat kisha pesëmijëshe të re. Thyeje dhe eja,më tha. Po shkonim tek shezlongët kur na mbiu nga rëra çuni tjetër. Pa thënë mirëmëngjes,foli:

-Të shoh pak çantat!

M’u duk vetja si në Rinas. Zbrazi gjithçka dhe mori me vete një shishe ujë, dy mollë e dy molto.

-Do i merrni kur të ikni. Për ushqim e ujë blini te banaku.-tha dhe na ktheu kurrizin.

Por erdhi shpejt.

-Dhjetë mijë për çadrën-sikur na urdhëroi.

U pataksa. Pashë gruan aq të irrituar sa mendova se do ia kafshonte veshin djalit. Në çast nxora cel.

-Mos merr policinë, aman,-u lut gruaja.

-Merre,merre,-qeshi çuni.-Lokali i shefit është.

Unë doja Çimin, shokun tim që më organizoi parvjet pushime në Greqi.

-Çimo, dua shtatë ditë në Korfuz. Sa kushton.

-299 euro për person me tre vakte e pije pa fund, me transport dhe transfertë port-hotel.

-Po shezlongu sa?

-Hahahaha, free, vëlla.

I binte 85 euro në ditë. Në atdhe 90 euro veç fjetja me mëngjes +60 euro dreka,darka +12 euro parkim,shezlong =162 euro. Kurseja 72 euro në ditë.

-Kur niset trageti?

-Pas dy orësh vëlla!

-Shënomë dhe mua me gruan.

Mblodha rraqet, rrëmbeva shishen e ujit dhe në vrap drejt makinës bërtita:

-Moltot mbajini, i keni dhoro prej meje!