Lubonja: Ti ndalojmë këta të çmendur. Protesta si në Kukës për Teatrin

Analisti Fatos Lubonja shprehet se opinioni publik duhet të reagojë fort kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Lubonja thotë se tek Teatri po grabitet prona publike duke u nëpërkëmbur Kushtetuta teksa thotë se përgjegjës nuk është vetëm Rama por edhe ata që e ndjekin atë.

“Janë shumë gjëra që përmblidhen tek ngjarja e Teatrit. Duan të grabisin pronën publike duke nëpërkëmbur Kushtetutën. Këtu nuk ka përgjegjësi vetëm një person. Rama mund edhe të çmendet dhe nuk mund ta ndjekin 73 parlamentarë. Veliaj na ka premtuar 0 ndërtime në Tiranën historike. Këtu janë përgjegjës të gjithë dhe nuk është një njeri. Fakti që e ndjekin të tjerët mbrapa tregon se ku jemi katandisur”, tha Lubonja në një lidhje direkte për rubrikën ‘Opinion’ në News24.

Më tej, ai ka treguar edhe mënyrën sesi mund të ndalet shembja e Teatrit. “Ka një arrogancë të paparë. Nëse kalon Teatri është një çështje alarmi. Jemi para një çmendurie ku ca njerëz nuk njohin kufi për të grabitur. Shembja e Teatrit ndalohet duke përdorur formën e protestës së Kukësit. Këtu kemi të bëjmë me një çmenduri kolektive që mendojnë se paraja është gjithçka. Më përpara nuk ishte çmendur kaq keq dhe kishte edhe konkurse. Si ka mundësi që bëhet një vepër kaq e rëndësishëm dhe nuk ka konkurs. Veliaj është vënë si instrument i Edi Ramës apo si përfaqësues i qytetarëve?”, tha Lubonja.