Luan Rama: Arta Marku injoroi vetingun, reforma në drejtësi është kompromentuar

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama e shikon si shqetësues injorimin që i bëri sot kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, seancës së procesit të rivlerësimit të saj.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Luan Rama shprehet se mesazhi që dha Marku sot ishte i qartë, që procesi i vetingut dhe reforma në drejtësi janë të kompromentuar, aplikohen në mënyrë selektive e me dy standarde, mungon objektiviteti dhe paanshmëria që “urdhëron” Kushtetuta!

Reagimi i plotë i Zëvendëskryetarit të LSI-së, Luan Rama

Prokurorja e Përgjithshme injoron procesin e Vetingun!

Do të duhej të paraqitej sot para komisionit të Vetingut për vlerësimin që buron si detyrim prej reformës në drejtësi, por Prokurorja e Përgjithëshme nuk ka dënjuar, nuk ka shkuar, është trembur, duke dëshmuar kësisoj jo vetëm mungesë respekti për Komisionin e Vetingut, por edhe mungesë sensi përgjegjshmërie për detyrën e lartë që është komanduar të kryejë!

Mesazhi është i qartë: procesi i vetingut e reforma në drejtësi janë të kompromentuar, aplikohen në mënyrë selektive e me dy standarde, mungon objektiviteti dhe paanshmëria që “urdhëron” Kushtetuta!

Qëndrimi i Prokurores së Përgjithshme: mosperfillës, përçmues, arrogant, i padenjë për një funksionar të lartë të shtetit!

ONM ( Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, të dëshmojë se është këtu për të mbrojtur integritetin e procesit!