Ditmir Bushati dhe Edi Rama janë vetëm një thumb larg

Nga Enkel Demi

“Një thumb larg…”

Ky ishte shënimi që bënte në rrjet ish-ministri i brendshëm, Saimir Tahiri gjatë fundjavës, kur qeverinë e zinte gjëma e mortit të një djali të ri, i cili ende nuk dihet se kush e mori në qafë. Unë e njoh Saimir Tahirin, por më shumë letërsinë, aq sa të më shërbej për të kuptuar metaforën. Pamjet e murrëtyera të qeveritarëve gjatë këtij moti të mbramë, nuk e di pse nuk janë aq të ëmbëla sa mjalti që mblidhte Saimiri nga kosheret e bletëve.

“Një thumb larg…” më ka qëndruar gjithë këto ditë në mendje, shi si vargu i Migjenit: “…të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerëzisë”. Ditmir Bushati është shkodran dhe e kupton më mirë se unë se çfarë do të thotë një thumb i ngulun, Edi Rama pa dyshim është po aq shkodran prej të parëve sa t’i djegë thumbi, aq sa ka dashur poeti i mallkimit.

Ndërsa Saimiri e shpjegonte në mënyrën më lakonike të duhur sa afër është robi me thumbin, ministri grek Nikos Kotzias shpallte që marrëveshja me Shqipërinë është mbyllur, detin e morën ata, na hoqën nga përdorimi termin “Vorio Epir” dhe shqiptarët e Edi Ramës fshinë Çamërinë. Kaq e thjeshtë, me një “po” ose “jo”, tek qëndron me shalët përpjetë në ndenjëse, se i dhemb shpina. Nga ana tjetër, Panos Kammenos, ministri i Mbrojtjes i Greqisë e tha copë që Çështja Çame nuk është folur fare në bisedime, kurse çamët nuk i marrin dot pronat, sepse janë kriminelë lufte.

“Vorio Epir” është një term politik që është shpikur nga platforma e Megalo Idesë në fund të shekullit XIX. Emri “Çamëri” vjen nga lumi Thiam, prandaj Kel Demit i thonë Kel çomi, pasi fjala “çam” është më e lashtë se ata që ne i njohim si grekë të “lashtë”. Është pellazgjike, andej nga janë rrënjët tona, Orakullit të Dodonës, fustanellës dhe plisit të bardhë në kokë. Si mund të guxojë Ditmiri dhe Rama që të barabisë një term politik me një emër që vjen nga thellësia e ekzistencës njerëzore në këtë tokë? Por, me sa duket këta janë trima. Me siguri e kanë marrë parasysh që thumbi nuk i gërvish, se duhet të kenë korracë të trashë në vend të mishit.

Kohët e fundit Edi Rama ka futur në fjalorin politik esadizmin, i frymëzuar nga Esat Pashë Toptani. Ky politikan, i ngjyrosur veç me të zezë, akuzohet se shiti tek malazezët Shkodrën e Ditmirit dhe Edi Ramës, por jo vetëm kaq. Askush nuk e di pse libohoviti Avni Rustemi e hoqi qafe; prej frymëzimit të tij, apo se e paguan të tjerët, por në historinë shumë të politizuar shqiptare thuhet që e vrau Esat Pashën për Atdhe, prandaj një shesh i dorës së parë në Tiranë mban emrin e tij. 27.al