Botërori Rusi 2018, sot mësohen çerekfinalistët e fundit

Mbrëmjen e kësaj të marte do të mësohen dy skuadrat e fundit çerekfinaliste të Botërorit të Rusisë. Në orën 16:00 do të luhet ndeshja mes Suedisë dhe Zvicrës.

Në këtë ndeshje, Suedia nuk do të ketë Larsson të skualifikuar. Ndërsa te Zvicra do të peshojë mungesa e Schär, e sidomos ajo e kapitenit Lichtsteiner, i cili pritet të zëvendësohet nga Elvedi. Ndeshja mes Suedisë dhe Zvicrës do të gjykohet nga slloveni Damir Skomina.

Në orën 20:00, në “Spartak Stadium” të Moskës do të luhet sfida mes Kolumbisë dhe Anglisë. Kolumbia u rendit e para në grupin H, ndërsa “Tre luanët” të dytët në grupin G. Anglia ka një bilanc pozitiv në përballjet me amerikano-latinët.

Në 5 ndeshje të luajtura ndaj Kolumbisë, Anglia ka 3 fitore e dy barazime. Një prej fitoreve të anglezëve ndaj kolumbianëve është ajo në “France 98”, 2-0 me gola të Anderton e Beckham. Për sa i përket formacionit, Pekerman me shumë gjasa nuk do të aktivizojë James Rodriguez, por do të jetë Falcao në sulm e Yerri Mina në mbrojtje.