Negociatat në 2019, Vlahutin: Duhet bashkim kombëtar

Shtyrja e çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë për qershorin e ardhshëm, është kryefjala e debatit politik.

Paraditja e kësaj të hëne, ka mbledhur në një aktivitet pas konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, Ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, raportuesin e Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein dhe ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin.

Vlahutin tha se deri në qershor 2019, Shqipëria ka një sfidë të madhe, që është politika. Diplomatja e BE-së i bëri thirrje politikës shqiptare që të bashkohet, sepse në të kundër procesi i integrimit është shumë i vështirë.

”Do të keni një sfidë të madhe dhe kjo është politika. Ky proces kërkon që të ketë bashkim, jo bashkim retorik, jo bashkim në kuptimin e të folurit për objektiva të përbashkëta. Duhet të jetë një objektiv i mirëfilltë kombëtarë për të cilën punon gjithëkush. Një gjë që e kemi konstatuar në cdo vend tjetër dhe mendoj që e shikoj edhe këtu është që disa grupe interesi do ta kenë kuptuar se çfarë nënkupton BE-ja dhe mund të dëshmojë nga shembuj të tjerë. Do të ketë disa grupe që nuk do të duhet të nxitojnë sepse nuk është në interesin e tyre. Integrimi Europian nuk është për njerëz që kanë programe apo agjenda të fshehura. Është me rëdësi që të punohet për këtë unitet. Është përgjegjësi qoftë e shumicës dhe e pakicës. Mendoj se shumica duhet të shtrijë dorën gjithë kohën, sepse është e rëndësishme të krijojë një dialog për këtë bashkim kombëtar sepse pa këtë ky është një proces shumë i vështirë, thuajse i pamundur”,-tha Vlahutin.